Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka deklaruar sot se procesi i vaksinimit do të nisë në Shkurt. Zemaj në një konferencë për mediat u shpreh se qeveria është duke punuar për të siguruar frigoriferët e zinxhirit ftohës.
“Jemi duke punuar intensivisht. E mira është që e kemi siguruar zinxhirin e ftohjes, derisa përgatitjet teknike janë në realizim. Është hartuar strategjia e imunizimit. Procesi i vaksinimit do të fillojë sipas dinamikës dhe sigurimit të vaksinës ashtu siç po pretendojmë jo vetëm ne, por edhe vendet evropiane”, tha Zemaj.
Më tej ministri tha se nuk do të ketë lirim të masave pasi situata nuk është ende stabilizuar.
“Ne këto ditë, edhe ditën e djeshme, kemi patur numrin rekord të testimeve të bëra në Kosovë. Pozitiviteti ka qenë shumë i kënaqshëm, por kjo nuk do të thotë që mund t’ia lejojmë vetes komoditetin që të shkojmë drejt lirimit të ndonjë mase të caktuar e cila mund ta prishë stabilitetin që e kemi tash – edhe të gjendjes pandemike, por edhe të rasteve spitalore”, tha ministri.
/a.r