Ekspertët italianë kanë mbërritur ditën e sotme në qytetin e Pukës, në Shqipëri. Dosja.al mëson se ata janë nisur drejt vendit ku është gjetur djegia e makinës së biznesmenit Davide Pecorellit. Ardhja e tyre në Shqipëri ishte paralajmëruar pak ditë më parë në mediat italiane.
Davide Pecorelli ka udhëtuar drejt Shqipërisë 5 herë, 4 herë në vitin 2020 dhe një herë në vitin 2021. Hyrje-daljet e tij i ka kryer të gjitha përmes aeroportit të Rinasit.
Pecorelli ka ardhur për herë të parë në Shqipëri më datë 24 shtator në vitin 2020. Qëndrimet e tij në Shqipëri kanë qenë 3 ditore deri në 2 javë. Rezulton se Pecorelli ka hyrë në vendin tonë më datë 3 janar nga Italia në orën 16:50 nëpërmjet aeroportit të Rinasit.
Po atë ditë ai mori me qira mjetin tip ‘Skoda Fabia’ e cila u gjet më pas e djegur në aksin Gjegjan-Reps në Pukë. Më datë 4 janar, Pecorelli udhëtoi drejt Shkodrës e në mbrëmje në Pukë ku u akomodua në hotel të cilën e prenotoi për 3 ditë por që qëndroi vetëm për dy ditë.
45 vjeçari mendohet se është gjetur në makinën e marrë me qira prej tij, që u gjet e djegur pasditen e 6 janarit në Pukë, ende në rrethana të paqarta. Në makinën e djegur është gjetur një skelet që dyshohet se është i tij. Kockat janë dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalistik në Tiranë dhe pritet të dalë përgjigjia e ADN, e cila do të krahasohte me atë të familjarëve të ish-arbitrit italian.
g.kosovari