Vllaznia mori hak ndaj Kukësit për humbjen e fazës së parë, duke triumfuar 0-1 në “Elbasan Arena” në përballjen më të rëndësishme të javës së 14-të. Një sukses i merituar i skuadrës shkodrane që po dhuron spektakël në fushë, duke bindur me lojë dhe rezultat.
Vllaznia shfaqet dominuese në lojë që në fillim të takimit, por rastin e parë të artë e pati Kukësi me Leiran, goditjen e të cilit më kokë e priti mbi vijën fatale Zogovic. Në fundit e pjesës së parë për pak bën mrekullinë nga distanca Fjoart Jonuzi i Kukësit. Tentativa e tij shkoi ngjitur me shtyllën, aty ku kryqësohet me traversën.
Vllaznia, falë presionit të vazhdueshëm, e zhbllokoi takimin në minutën e 58-të me Arlind Kalajën, që shtyu nga një distancë e afërt topin që nuk mundi ta kontrollonte Tafa pas goditjes së Markut nga jashtë zonës. Festë e çmendur e kuqebluve, me të gjithë pjesëtarët e stolit që pushtojnë fushën prej entuziazmit.
10 minuta më vonë Vllaznia iu afrua golit të dytë me Demir Ymerin, goditja fluturimthi e të cilit përfundoi ngjitur me shtyllën. Me fat ekipin shkodran në të 70-tën, teksa në zhvillimet e një këndoreje Hetemaj goditi shtyllën.
Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Vllazninë që ruan distancën prej 9 pikësh me ndjekësen më të afërt, Teutën.
Bën detyrën Teuta ndaj Bylisit në “Niko Dovana” (për herë të parë në shtëoi), ku fitoi me rezultatin 2-0. Skuadra e Martinit realizoi nga një gol në çdo pjesë, për të siguruar tri pikë të rëndësishme, që kthejnë qetësinë në kampin durrsak pas humbjes me Vllazninë.
Golin e parë Teuta e shënoi në minutën e 28-të me Lorenzo Vilën, i cili përfitoi nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes, duke mposhtur portierin mik.
“Djemtë e Detit” mbyllën llogaritë me ballshiotët në minutën e 66-të me golin fantastik të ldi Grudës, që shpërtheu në krahun e djathtë dhe përballë Pano Qirkos nuk gaboi, duke tundur rrjetën.