Zbutja e toneve të Lulzim Bashës, ndaj partive të reja të krijuara nga të larguarit e Partisë Demokratike, dhe ftesa jo e drejtpërdrejtë për t’iu bashkuar kampit opozitar, nuk do ta lëkundë Astrit Patozin.
Patozi thotë në një intervistë për Report Tv se sheh zero mundësi për bashkëpunim me Lulzim Bashën, pasi sipas tij i ndan vizioni dhe qëllimi.
“Ne gjykojmë që me zotin Basha na ndan së pari vizioni që kemi për politikën dhe e dyta qëllimi”, tha Patozi.
Tentativat për arritjen e paktit për listë unike mes Bashës dhe aleatëve të tij tradicionalë, koordinatori I Bindjes Demokratike i sheh thjesht si pazar për vende të sigurta në listë.
“Po vazhdojnë pazarin e tyre për të gjetur hapësira të sigurta në listë, që është një shëmti, në rrafshin estetik, jo më në rrafshin moral e politik, sepse tregon që për ata nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Patozi
Për këtë arsye, në intervistën për Report Tv thotë se I vetmi koalicion që mund të ndërtojë është ai me partitë e reja që kanë të njëjtën kauzë, sjelljen e ndryshimit dhe jo rotacionin.
“Me Topallin, është nevoja dhe kauza e përbashkët që ne kemi për të dalë në një listë dhe besoj do e arrijmë qëllimin. Ne e duam Shqipërinë më demokratike, më të drejtë dhe më të pakorruptuar”, tha Patozi
Patozi nuk kundërshton vetëm shpërndarjen e mandateve nga Kodi i Ri zgjedhor, për të cilin I është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Ai thotë se nuk do ta shfrytëzojë as mundësinë që i jep ligji i ri elektoral kryetarëve të partive për të garuar në katër zona zgjedhore.
Sipas Patozit kjo bie në kundërshtim me kauzën për lista të hapura, ku çdo kandidat duhet të shkojë i barabartë përballë votuesve./a.p