Ditët e fundit shifrat e rasteve të reja me koronavirus në Kosovë kanë ardhur duke u ulur. Duke parë këtë trend autoritetet vendase bëjnë me dije se tashmë Kosova ka paralajmëruar lehtësim të masave për disa sektorë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 54.839 raste nga 203.693 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.392 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 441 pacientë, ndërkohë që numri i rasteve aktive është 5.401. MSH ka propozuar që masat të lehtësohen për disa sektorë, duke vënë në theks edhe zgjatjen e orarit të qarkullimit në bazë të masave nëpër komuna me rrezik të ulët, të mesëm e të lartë. Te komunat me rrezik të ulët dhe të mesëm, operatorëve ekonomikë u lejohet puna deri në orën 22:00, ndërsa pas saj me shërbimin “delivery”. Nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve.
Te ato me rrezik të lartë, komunat në zonë të kuqe, lëvizja e qytetarëve lejohet deri në orën 21:30, ndërsa nuk mund të ketë lëvizje mes orës 21:30 deri në orën 05:00.
g.kosovari