Sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi” Tire Alldervishi mori sot masën e sigurisë “arrest me burg”. Kryeministri Rama reagoi për rastin, duke përgëzuar investigimin e emisionit “Stop” duke thënë se ishte një ngjarje e turpshme dhe e veçuar, “pasi çdo pyll ka derrat e vet”. Ky reagim u përshëndet edhe nga drejtuesit e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj. Kodra tha ndër të tjera se si Tire Alldervishi nuk janë të gjithë bluzat e bardha sepse ndër to ka edhe heronj.
“Sikurse me shumë sinqeritet dua që të të mbështes në një element të vetëm për atë që kemi thënë në të gjithë elementet tona që absolutisht nuk përfshijmë të gjithë stafin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë dhe janë heronj. Një duartrokitje shumë të madhe, për ata mjekë, infermierë, sanitarë që punojnë me vetëmohim, me devotshmëri, me dashuri, me betimin e Hipokratit në bazë”, tha Kodra.
Nga ana tjetër, “Stop” publikoi mbrëmjen e kësaj të enjte të tjera detaje nga rasti makabër i sanitares së spitalit ,Tire Alldervishi, që me aktin e saj korruptiv dhe abuzimin me pacienten 55-vjeçare, prej ditësh mban pezull prej ditësh vëmendjen e opinionit publik.
Vajza e të ndjerës ka treguar se çfarë ka ndodhur pas publikimit të ngjarjes. Ajo u shpreh se ka kërkuar urdhër mbrojtje për shkak se është kërcënuar nga i biri i Tire Alldervishit.
“Që në momentin e parë që kam dalë tek “Stopi”, atë natë kam vajtur tek rajoni 1, kam kërkuar urdhër mbrojtje duke qenë se para pak kohësh, para se mami të ndërronte jetë, kam bërë një telefonatë me numrin e Tires, e ka hapur i biri dhe më ka bërë kërcënim ndaj telefonit. Më ka thënë ‘mbaje mend mirë kur vjen në Sanatorium sepse mund të kthehesh ndryshe’. Ky ishte një lloj kërcënimi për mua se jam dhe një femër. Një mashkull nuk mund të ofendojë apo të flasë në atë mënyrë. Unë e marr në mënyrë kërcënimi. Pas kësaj më kanë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë. Atje kam dhënë deklaratën time, të gjithë çështjen, nga momenti i parë i shtrimit të mamit në spital deri në fund nga ndarja e jetës së saj. Kam dhe shumë fakte të reja që për Tiren nuk dihen. Në moment që isha atje, policia bën arrestin pas “Stopit”. Vjen e shoqëruar në Drejtorinë e Policisë nga bashkëshorti dhe e bija. E bija bërtiste duke mos pranuar faktin që e ëma ka bërë gjithë këtë skemë. Ndërkohë unë kam ruajtur qetësinë time, që as vetë nuk e prisja të isha kaq e qetë, por ndoqa anën e ligjit”, tha ajo.
Vajza të ndjerës tregoi se çfarë ka ndodhur më tej duke sjellë edhe dëshminë e re, që ka mësuar më vonë, se sanitarja nuk mjaftohej me paratë, që i zhvaste asaj.
E reja tregon, se Alldervishi i merrte para dhe kushëririt të saj, që punon në një market pranë Sanatoriumit.
Avokatët kanë treguar se do të tregojnë një panoramë tjetër të situatës. Ka një panoramë që nuk e dimë?
“Panorama tjetër që mbase nuk dihet, çdo gjë që është treguar është me fakte dhe nuk është me fjalë. Është video e “Stop”. Ajo ka pohuar çdo gjë ndaj meje, edhe shumë e lekëve. Ka përmendur edhe emrat që mua më vjen keq, nuk kam pasur asgjë personale. Në ato emra që janë përmendur, një ndër to është edhe Bona, kam mesazhet e Bonës që mua më thotë, “Ani, mami të jetë mirë, punën e bëj me kënaqësi. Me vjen keq që e ka përdorur shumë si emër”.
Më thatë pak më parë se përveç parave që ju ka kërkuar nuk është mjaftuar, ju ka kërkuar para dhe dikujt tjetër nga rrethi i të afërmve tuaj.
“Po. Kushëriri im punon në një Big Market dhe ngjitur me të ka fruta perime. Zonja jetonte në lagje. Ka qenë mbase klientë në atë lagje. Mbase ikte nga unë dhe merrte shumë e lekëve, këtë unë e vërtetoj me fakte, shkonte te kushëriri im merrte 30, 40, 50 nga ana ime kjo personalisht. Shkonte dhe i thoshte kushëririt “shiko se çfarë më ka dhënë Ani. Unë po bëj të pamundurën”. Kushëriri im duke u ndjerë në faj, i jepte dhe ai. Ka ndodhur shumë herë që ka bërë pagesa edhe kushëriri im. Ka bërë ankesat e veta, ka marrë lekët dhe ka ikur. Nuk mjaftohej vetëm me pjesën time. Për këtë mund të bëjë deklaratë dhe kushëriri im. Kemi dhe fakte që ka vajtur në orarin që linte punën, shkonte te dyqani kushëririt, merrte lekët dhe ikte”.
/a.r