Duke folur si drejtues politik i qarkut të Korçës,Niko Peleshi është shprehur i bindur se PS-ja do të marrë një mandat të tretë. Kjo siguri, shprehet se i buron nga fakti që kjo qeveri i ka mbajtur të gjitha premtimet elektorale.
“Nuk paragjykoj votën e qytetarëve sepse e thashë që është një sfidë veçanërisht e vështirë, por nuk mund të fsheh edhe faktin që jam pjesë e një force politike dhe në të njëjtën kohë jam optimist. Nëse nuk do të isha optimist, nuk do të merrja përsipër as detyra politike, as detyra ekzekutive si kjo e ministrit të Mbrojtjes. Dhe nuk është vetëm për mua, nuk është formulë personale, por gjithkush në rast se beson që përmes angazhimit të vet mund të arrijë sukses, merr përsipër edhe përgjegjësinë. Unë jam edhe drejtues politik në një qark të rëndësishëm të vendit, në qarkun e Korçës dhe deri më sot kam folur me optimizëm, kemi arritur rezultate shumë të mira, shpresoj që do të arrijmë rezultate të mira, të cilat nuk janë vetëm, po dal tani te pyetja juaj, nuk janë vetëm rezultat i organizimit, i frymës dhe i punës që partia bën në nivel rajonal apo lokal, por janë edhe rezultat i performancës qeverisëse. Dhe për të dalë te përgjigjja për pyetjen tuaj: po, unë e besoj edhe qytetarisht që PS-ja, kryeministri Rama, meriton një mandat të tretë. Nuk flasim këtu për perfeksion, nuk flasim për tejkalime si njëherë e një kohë, të ambicieve apo të premtimeve. Flasim për një performancë shumë të mirë të kabinetit qeveritar, për përmbushje të premtimeve elektorale”, tha Peleshi.
Peleshi pranoi se emërimi i tij në krye të këtij dikasteri, ka qëllim politike, për të arritur një maksimalizim të votave në fushatë! Peleshi ka vlerësuar kryeministrin Rama, sipas së cilit ka një “talent të spikatur t’iu përgjigjur ambicieve dhe sfidave të kohës me formatin më të mirë të mundshëm”.
“Kryeministri ka një mandat të fituar me votën popullore padyshim dhe ka të drejtë që ta kompozojë kabinetin qeveritar duke harmonizuar ambiciet dhe të gjitha angazhimet për të cilat është votuar kryeministri dhe PS-ja që sot qeveris e vetme vendin. Nuk është detyra ime që të komentoj lëvizjet e kryeministrit në kabinet, por një gjë është e sigurt që gjithmonë kryeministri, si çdo kryeministër, por unë besoj që kryeministri Rama ka një talent të spikatur për t’iu përgjigjur ambicieve dhe sfidave të kohës me formatin më të mirë të mundshëm. Siç e thashë nuk është e lehtë që të analizojmë një emërim, një emërtesë apo një vendim në mënyrë të shkëputur nga tërësia. Edhe kabineti qeveritar, ashtu si në shumë vendime të tjera, duhet të mbajë parasysh ekuilibra të caktuar apo të harmonizojë forcën politike me forcën teknike, nëse mund ta quajmë kështu. Mendoj që në të gjitha formatet që kryeministri Rama ka zgjedhur, nga viti 2013 e deri më sot, u janë ngjitur shumë mirë nevojave dhe sfidave të kohës. Nuk është për t’u fshehur që ne tani jemi në një vit elektoral, jemi disa muaj larg zgjedhjeve. Jo vetëm një qeveri si e jona, por çdo qeveri e çdo vendi demokratik fokusohet dhe mobilizohet që të justifikojë një mandat të ri. Ne jemi në një sfidë jo të lehtë, duhet thënë, sepse shkojmë për një mandat të tretë, me shumë besim por nga ana tjetër edhe të vetëdijshëm për faktin se do të jetë hera e parë në historinë politike 30-vjeçare në këtë sistem të ri të demokracisë liberale që një forcë politike merr një mandat të tretë. Kështu që është totalisht legjitime që edhe veprimet gjithmonë brenda kornizës ligjore, të kuadrit ligjor, të jenë me një vështrim dhe me një fokus edhe nga suksesi për të cilin synojmë të arrijmë politikisht në zgjedhjet e 25 prillit”, tha Peleshi.