Sipas Partisë Demokratike, porti i Durrësit është vendi i radhës ku kryeministri Edi Rama do të kryejë një aferë korruptive.
Në një deklaratë për shtyp, Jorida Tabaku tha se një nga kalatet e portit do t’i jepet me koncesion për 5 vjet një kompanie ofshore. Për gjithë këto vite, sipas PD-së, pritet që të përfitojnë 30 milionë euro nga taksat.
Tabaku tha se kompania që ka fituar koncesionin quhet “Hili Company Limited” dhe operon në Maltë. Sipas saj kompania njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimtë nga skandali i “Panama Papers”.
Deklarata e plotë:
109 ditë para largimit, Edi Rama po lë pas tokën e djegur. Radha i ka ardhur Portit të Durrësit, një aferë korruptive 30 milionë euro, që ne e denoncuam 2 muaj më parë.
Njerëzit e papunë, të rinjtë që po e braktisin vendin se Rama nuk u la as edhe një mundësi për të shpresuar, biznesi dhe shtresa e mesme të rrjepur nga taksat nuk janë asgjë për Edi Ramën.
Edi Rama mendon vetëm për Edi Ramën, prandaj edhe një nga kalatat e Portit të Durrësit, i është dhënë me koncesion për 5 vjet një kompanie ofshore, pronarët e të cilës fshihen në parajsa fiskale.
Edi Rama ka detyrimin t’u thotë sot shqiptarëve kujt ia ka dhënë me koncesion kalatën e Portit të Durrësit për të futur në xhep 30 milionë euro nga taksat.
109 ditë para largimit Edi Rama nuk mund t’u fshihet më shqiptarëve.
Ata e dinë dhe e ndjejnë në lëkurë se për 8 vjet me radhë ky kryeministër i gënjeu, i mashtroi, shkatërroi ekonominë, rriti koston e jetesës dhe papunësinë.
Kur të votojnë në 25 prill, qytetarët do të kenë në listën e grabitjeve të taksave të tyre nga qeveria edhe Portin e Durrësit.
Kompania e shpallur fituese për koncesionin 30 milionë euro quhet “Hili Company Limited”. Ajo operon në Maltë dhe njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimtë nga skandali i “Panama Papers”.
Administratori i kompanisë është hetuar në Maltë për pastrimin e parave dhe për mekanizma të ngjashëm. Prandaj, Edi Rama duhet të dalë sot para shqiptarëve dhe të thotë çfarë e detyroi të japë pasurinë e vendit, kalatën e Portit të Durrësit, tek një kompani fantazmë.
Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama bën biznes të pistë me pasuritë dhe taksat e shqiptarëve.
Të njëjtën skemë ka ndjekur edhe me incineratorin e Tiranës, pronarët e të cilës janë të fshehur në llogari ofshore dhe paguhen miliona euro nga qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e Erion Veliajt.
• Kush janë pronarët e vërtetë të kësaj kompanie?
• Çfarë dhe kush fshihet pas kompanisë malteze që do të marrë në dorëzim një pjesë të Portit të Durrësit?
• Pse Edi Rama po dorëzon një nga pikat e sigurisë kombëtare tek një kompani me pronarë të paidentifikuar?
Këto pyetje duan përgjigje konkrete nga përgjegjësi kryesor i shkatërrimit të ekonomisë sonë dhe i shpresës së mijëra të rinjve.
109 ditë para largimit të virusit më të keq për Shqipërinë, Partia Demokratike ka një angazhim konkret: Koncesioni 30 milionë euro në Portin e Durrësit do të hetohet me prioritet dhe ka për t’u anulluar!
Kushdo që fshihet pas tij nuk ka për të gëzuar vjedhjen e shqiptarëve!
/a.r