Avokat Spartak Ngjela vijon të jetë optimist se Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të korrë rezultate sa i takon korrupsionit në nivel politik. Në një intervistë të shkurtër për gazetën “SOT”, avokati deklaroi se banda 30-vjeçare e të korruptuarve tani do të nisë të shkatërrohet. Sipas tij, ligji detyron SPAK që të hetojë pushtetarët dhe me mbështetjen e Byrosë së Hetimit ky qëllim do të arrihet. Ai u ndal dhe te zhvillimet politike, sidomos te thirrjet e presidentit apo ish-kryeministrit Berisha për revolta. Sipas avokatit, të tilla deklarata janë të kota, pasi askush prej tyre nuk do e ketë të gjatë në politikë. Ngjela shprehet optimist se SPAK do i nxjerrë jashtë loje përmes hetimeve. Sipas avokatit, në hetim do të përfundojnë si majtas ashtu dhe djathtas. Madje sipas tij edhe ministra dhe deputetë do të japin llogari për aferat që kanë kryer.
-Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, pak ditë më parë deklaroi se viti 2021 do të jetë vit i vështirë për të korruptuarit. Ju si e parashikoni? Mendoni se do të shohim vitin që vjen politikanë në bankën e të akuzuarve?
Duhet të kemi parasysh diçka, pasi juristët nuk po reagojnë. Nuk e di arsyen përse ekspertët e ligjit nuk po flasin. Gjithsesi në e dimë që Kushtetuta e vitit 2016 dhe të gjitha ligjet në të janë për vetingun dhe hetimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve të nivelit të lartë. Prandaj të gjithë politikanët e niveli të lartë (deputetë, ministra, kryeministra) do të hetohen. Këto nuk i kërkon SPAK, i kërkon ligji. Tani çështja është: Këta elementë që kanë ardhur në SPAK a do ta respektojnë ligjin? Unë them që po. Pse do ta respektojnë? SPAK do ta respektojë ligjin sepse ka monitorim ndërkombëtar, madje ka edhe personalitet dhe diktat moral ndërkombëtar.
-Por çfarë ka ndodhur deri më tani? SPAK sapo kremtoi 1-vjetorin e krijimit dhe ende nuk po shohim rezultate të forta, përveç rastit “Llalla”.
Deri tani ka pasur një ngërç. Ngërçi kryesore në fillim ishte Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme të cilat u formuan. Tani ka mbetur vetëm ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila mendohet të formohet shumë shpejt. Pati një pengesë për arsye të pandemisë, pasi deri tani do të ishte formuar. Gjithsesi pasi të mbarojnë këto do të fillojnë hetimet. Por çfarë po presin shqiptarët dhe çfarë pret historia? Historia e Shqipërisë pret eliminimin e korrupsionit, sepse nuk mund të ketë drejtësi pa eliminimin e korrupsionit të lartë shtetëror, i cili ka minimumi 25 vjet që po i merr frymën Shqipërisë. Pra në qoftë se ne nuk e eliminojmë këtë korrupsion të lartë nuk mund të ketë zhvillim. Dhe ana tjetër e medaljes është që kështu kurrë nuk mund të hyjmë në BE.
-Çfarë ka sjellë korrupsioni i lartë në vend dhe keni besim se SPAK do i realizojë të gjitha këto?
Deri tani si pasojë e korrupsionit të lartë, i cili ka sjellë mediokritetin në pushtet tashmë 30 vjet, Shqipëria në optikën e qytetërimit modern konsiderohet një shtet i zakonshëm. Shtet i zakonshëm është ai që nuk e përfill askush sepse nuk ka nivel të intelektit të lartë. E pse nuk ka nivel të intelektit të lartë sepse këta kanë goditur arsimin. Flas gjithmonë për korrupsionin, pra kanë goditur arsimin e lartë dhe cilësor. Ata nuk përfillin shqiptarët që kanë shpenzuar milionat për t’u arsimuar në Perëndim dhe kështu kanë zbatuar edhe shtetin. Pra SPAK ka në dorë një gjë: shpëtimin e Shqipërisë nga një bandë korrupsioni që ka 30 vjet që na merr frymën. A do ta bëjë? Nëse e bën do të hyjë në histori, nëse nuk do ta bëjë nuk do ta kenë shumë të lehtë nga monitorimi ndërkombëtar, sidomos nga goditja që mund t’i bëjë politika amerikane, e cila ka peshë shumë të madhe në opinionin publik.
-Ka shumë politikanë në vend që po e sulmojnë reformën në drejtësi. Mendoni se ata i tremben një hetimi të mundshëm në kuadër të kësaj reforme?
Nuk është vetëm reforma në drejtësi që po goditet nga politikanë. Reforma është aspekti i parë, sepse pas saj do të vijë gjykimi i tyre, pra gjykimi i nivelit të lartë pushtetarësh. I gjithë niveli i lartë i politikës shqiptare nuk e pranon reformën në drejtësi, prandaj edhe po e vonon. Unë nuk mund të them se kush do hetohet apo gjykohet. Por, mund të them që të gjithë politikanët do të hetohen për pronësitë që kanë dhe do të tregtohet se kush janë të korruptuar. Nëse nuk janë le të vazhdojnë. Por të dhënat tregojnë se 99% e politikanëve janë të korruptuar me ministra e kryeministra, deri diku edhe deputetë. Vetëm SPAK ka në dorë të shpëtojë Shqipërinë, por ata nuk e kuptojnë. Nëse e kuptojnë do të jetë lëvizje e mirë nga ata, në të kundërt do të përballen me ndërkombëtarët.
-Për të kaluar te zhvillimet politike. Vendi po përgatitet për të shkuar në zgjedhje, ndërkohë ka emra që kërkojnë trazira politike. Si i shihni thirrjet e ish-kryeministrit Berisha se nëse preken zgjedhjet do të kemi një 20 shkurt të dytë?
Thirrjet e ish-kryeministrit Berisha janë të kota. Këta nuk e kalojnë dot provën e SPAK. Të gjithë këta flasin broçkulla tani. Po nuk kaluan provën e SPAK nuk do të jenë më në politikë.
-Në të njëjtën linjë ka qenë dhe presidenti Ilir Meta, i cili paralajmëroi se nëse bën ai një protestë ajo do të sjellë rrëzimin e regjimit. Si i sheh këto reagime?
Meta-Berisha, si komedi hedhin rëndom idenë e një “revolucioni” infantil që askush nuk di se si dhe pse do të bëhet. Fakti që flasin për një revoltë të gjerë popullore pa motiv, kuptohet se psikika e tyre është jashtë kohës. Nuk ka më fatkeq se lideri të cilin nuk e pranon koha e tij!
g.kosovari