Nga ARTUR AJAZI
Partia Demokratike njihet për protestat e saj, madje të tilla ka bërë ajo edhe kur është akuzuar botërisht se ka manipuluar me zgjedhjet dhe ka vjedhur vota, të tilla ka bërë ajo edhe kur ligji me të drejtë ka vepruar mbi krimin dhe emra të lidhur me trafikun, të tilla ka bërë ajo (në çdo kohë) edhe kur është dashur të “trembë” qeverinë apo kryeministrin. E ndërsa Edi Rama i quajti “vandalë të orkestruar nga dyshja Berisha-Meta”, Lulzim Basha nga ana e tij shumë vonë, doli dhe i etiketoi ata si “rinia e mërzitur me qeverinë”. Kishte nga ata në SHQUP, që i morën nën “sqetull” adoleshentët që digjnin gjithçka, duke deklaruar se “këto protesta do të përmbysin këtë qeveri”. Madje Basha shkoi edhe më tek me miopinë e tij politike, duke u shprehur se “në 25 Prill do të dalin 1 milion e 500 mijë në sheshe po preke votën”. Por kur Edi Rama ka prekur votën, kur ka vjedhur dhe kur ka rrahur opozitarë në protesta, kur ka burgosur opozitarë në protesta, edhe pse atyre u ka prirë Berisha, Basha dhe Kryemadhi ? Por opozita e ka të mbushur mëndjen “top” se “protestat e saj në 2 vitet e fundit, të shoqëruara me dhunë të paparë ndaj institucioneve dhe uniformave të shtetit, e kanë trembur qeverinë dhe Edi Ramën”. Këtë gjë mund ta besojë vetëm roja i parkingut në SHQUP, por jo shumica e shqiptarëve që kanë parë se si Lulzim Basha dhe Sali Berisha, Monika dhe Iliri, janë strukur si lepuj, kur ka folur Edi Rama dhe faktori ndërkombëtar, që kanë paralajmeruar ndëshkime dhe penalizime për cilindo që “ngre dorën ndaj institucioneve kushtetuese”. Atëhere, cilin kanë trembur protestat e opozitës deri sot, kush ka qenë efekti i tyre në opinionin publik apo tek mbështetësit e tulatur që konstatojnë se Luli, Saliu, Monika dhe Iliri, bëjnë lojë pushteti dhe asgjë tjetër ? Dhe kjo për faktin, sepse qeveria e Edi Ramës ofron sot një standard qartësisht më të lartë se ish-qeverisja e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, si për menaxhimin e situatave, apo dënimin e rasteve të korrupsionit apo sa u përket niveleve të “dhunës” policore për të cilat flet gjithë ditën megafoni i SHQUP-it. Asnjë nga ato që Basha i quan “skandalet e Edi Ramës” nuk krahasohet sot e mot, me 26 të vrarët e Gërdecit, 4 vrasjet e 21 janarit, dështimin e kryetarit të PD-së si kryebashkiak apo dhe korrupsionin me zë dhe figurë të Ilir Metës me bllokun 700 mijë euro, etj, etj. Protestat e Partisë Demokratike, vazhdimisht kanë qenë skenarë të zgërlaqur, pa kauzë, ide dhe program zhvillimi, ku si parathënie dhe pasthënie e tyre ka qenë vetëm dhuna, djegiet dhe shkatërrimi. Protestat e opozitës dje, dhe asaj që drejton Basha sot, janë thjesht mishërim i zbrazëtisë mendore, ideologjike dhe programore, e një partie politike që nuk ndjehet e sigurtë në asnjë ndryshim të premtuar brënda saj, dhe natyrisht e skualifikuar me votë në çdo “garë” elektorale përballë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Ndoshta kjo është edhe arsyeja, përse “protestat” e kësaj opozite mjerane, nuk “ngjisin” gjëkundi, dhe nuk trembin askënd.