“Prapaskenat në qeveri” për të cilat ka folur vetë ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj për të cilat tha se do të shkruajë një ditë, janë komentuar sot në studion e emisionit “Real Story” në News 24 nga ish-ministra të tjerë por edhe analistë.
I ftuar në studio ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Neritan Ceka që mori postin menjëherë pas luftës civile në vend, kur zgjedhjet u fituan nga e majta e udhëhequr nga Fatos Nano.
Ceka tregoi disa të pathëna dhe hodhi dritë mbi ngjarjet e kohës. Akuza të rënda ai hodhi në adresë të ish-kryeministrit Nano.
“Kam ikur në prill ’98 si ministër, më pak se 1 vit qendrova. Jam përballur me një polici që s’kishte as mjete, një situatë e paimagjinueshme ku gjithë vendi ishte jashtë kontrollit, ku nuk udhëtoje dot as nga Tirana drejt Elbasanit. Por brenda 2 muajsh u vendos rregulli, nisën çarmatimet. Sollëm një imazh të ri të një qeverie disa partiake ku u përfaqësua një shtresë e gjerë e popullsisë, ku çdo njeri shihte punën e tij.
Unë nuk kam dhënë dorëheqje, ishte Nano ai që vendosi të bëjë disa ndryshime në qeveri. Kujtoi se u stabilizua vendi dhe ndryshoi kursin e qeverisjes. Ai është i pari që u afrua me botën e krimit. Kjo e çmobilizoi policinë, rriti kredibilitetin e opozitës, i hapi rrugë krimit të vepronte edhe në mes të Tiranës, përfshi pastaj edhe vrajsen e Azem Hajdarit. E majta shqiptare në vend të ishte përfaqësuese e një morali europian, ka përfaqësuar tendencat e djathta të Amerikës Latine”,- tha Ceka.
/a.r