Kallëzimi i kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla për privatizimin e Kompleksit Sportiv “Partizani” ka shënuar një zhvillim të ri.
Top Channel mëson se SPAK e ka regjistruar si procedim penal këtë kallëzim që tashmë mban numrin 287/2020. Shorti për të hetuar këtë kallëzim i ka rënë prokurores Enkeleda Millonai.
Të kallëzuarit janë ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë Berisha, përfshi Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone, si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.
Në ditën e dorëzimit në SPAK të kësaj padie Taulant Balla tha se:
“Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milion euro kjo është blere më pak se vlera e një garzonjere të shitur në atë zonë”.
Sipas padisë, disa familje të vetëquajtura ish-pronarë, me përfaqësues ligjor dhëndrin e familjes Berisha, Jamarbër Malltezi, janë favorizuar në vitin 2008, ku brenda disa muajsh janë realizuar të gjitha procedurat e njohjes dhe kthimit të pronës në fjalë, në kushtet kur ish-pronarëve të tjerë u duhen disa dekada. Sipas Ballës, sot në këtë zonë dhëndri i Berishës ka ndërtuar kulla.
Në padi, kreu i grupit socialist ngre shumë dyshime edhe sa i takon vlerës së privatizimit. Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë.
“Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milion euro kjo është blerë më pak se vlera e një gazoniere të shitur në atë zonë”, thuhet aty.
Sipas Ballës, Jamarbër Malltezi si trashëgimtar kishte vetëm 1/64 pjesës të sipërfaqes rezulton të jetë 144m2 truall, por sot, sipas bashkë me tjetër ish pronar, ka mbi 60% të pronësisë së kullave të ndërtuara.
“Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në përfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara nëpërmjet aksioneve të kompanisë Homeplan shpk, e cila tregon dhe njëherë synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre”, thuhet më tej në këtë padi.
/a.r