Partizani mund Tërbunin dhe “fluturon” në renditje. Të kuqtë fituan me rezultatin e thellë 4-0 pukjanët dhe tashmë e gjejnë veten plot 7 pikë para Skënderbeut të vendit të dytë, që ka një ndeshje më pak.
Goli i parë në kampionat për Raçiç, që në fakt e mbylli ndeshjen me dy finalizime dhe dy të tjerë të shënuar nga Ibrahimi e Sukaj i dhanë një fitore të thjeshtë ekipit të Starovës.
Partizani dëfreu në maksimum tifozët e tij dhe pse fillimin e pati disi të ngadaltë, aq sa në gjysmëorëshin e parë të lojës u regjistrua vetëm një moment i rrezikshëm, ai i Vatnikaj në të 12-tën që provoi për Tërbunin. Në të 31-tën megjithatë Partizani ndryshoi krejtësisht ndeshjen me golin e Ibrahimit, që hapi serinë e golave.
Në fillim të pjesës së dytë Raçiç u zhbllokua duke shënuar golin e parë në kampionat, dhe 2-0. Golat e tjerë u shënuan nga Sukaj në të 58-ën minutë dhe sërish Raçiç në të 62-tën.
Në ndeshjen tjetër midis dy ekipeve të zhytur në Krizë, Flamurtarit dhe Kukësit, dominues ishin këta të fundit.
Verilindorët shohin dritë me Duron që gjen fitoren e parë duke mësuar më në fund skuadrën të marrë tre pikë edhe në transfertë falë një autogoli që vendosi suksesin 0-1 në fushën e Flamurtarit. Kukësi ngjitet përkohësisht në vendin e katërt, ndërsa për vlonjatët nuk ka dritë në fund të tunelit. Kjo ishte fitorja e parë e kuksianëve jashtë fushe në këtë kampionat ndërkohë Flammurtari vijon rrëshqitjen në fund të tabelës, me vetëm 10 pikë të grumbulluara, 3 më shumë se Tërbuni i vendit të fundit.
Stadiumi i shtëpisë po rezulton vendimtar për sezonin e Laçit që siguron fitoren e dytë si pritës në po kaq ndeshje të zhvilluara në qytetin kurbinas.
Bardhezinjtë rikthejnë hijet e krizës te Vllaznia pasi arritën të fitojnë 2-0 ndaj shkodranëve në ndeshjen e javës së 14-të, duke u ngjitur në kuotën e 18 pikëve. Në krahun tjetër, kuqeblutë bënë shumë pak për të dalë me pikë nga kjo transfertë, duke u treguar të pavëmendshem në fazën mbrojtëse aty ku u ndëshkuan nga dy shkodranë, Arsid Kruja dhe Valdano Nimani të cilët shënuan në minutat e 8’ dhe të 77’.