Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar ditën e sotme kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili Ditën e Rinisë ka zgjedhur ta përkujtojë me dhjetra ekrane LED në Expo City, një prej qendrave tregtare për të cilat deri dje çirrej kur sulmonte oligarkët. Por, kryebashkiaku i ka provuar me fakte liderit demokrat, nga salla e re e Liceut Artistik ku zhvilloi bashkëbisedimin me studentët e ekselencës, se puna në drejtim të shkollave dhe të rinjve është ajo që bërtet më shumë se çdo fjalë, pasi tregon për prioritetin që të rinjtë kanë për secilën forcë politike.
“Ata po takohen në një qendër tregtare, tregon pak a shumë kulturën që promovojnë. Deri dje i shanin qendrat tregtare, sot janë pjesë e përkrahjes së qendrave tregtare. Ne, në fakt, takohemi në një shkollë, sepse secili prej nesh në fakt shkon aty ku e thërret puna e vet. Jam sot shumë i lumtur që në këtë sallë të rikonstruktuar të Liceut, që sigurisht do gumëzhijë vitin tjetër, ne të kemi ndërtuar një etalon që e kemi replikuar edhe te salla “Adi Hila”, edhe te një pafundësi shkollash të tjera,” u shpreh Veliaj.
“Secili prej nesh edhe në mënyrën se si legjitimon, qoftë edhe veprat publike, tregon se ku i ka prioritetet. Kush është te qendrat tregtare, që deri dje donte t’i digjte dhe kush është për kopshtet, shkollat, çerdhet dhe auditorët që do i ngelen qytetit edhe kur ne të mos jemi më këtu,” shtoi më tej kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Nga ana tjetër Veliaj tha se ndryshim të madh ka edhe vetë modeli për të rinjtë sot në politikë mes Partisë Socialiste që promovon gjithnjë e më shumë të rinj në struktura vendimmarrëse dhe Partisë Demokratike që evokon ende enverizmin.
“Edhe në politikë kemi ndryshime. Ne sot jemi krenar që 30% e Këshillit Bashkiak e kemi përfaqësues të të rinjve. Kemi disa deputetë të rinj. Kemi hapur një garë për të shtuar të tjerë. Ndërkohë, shkojmë nga pala tjetër që na ofrohet Sali Berisha, 77 vjeç do jetë vitin tjetër dhe do rikthehet për një tentativë të tretë për të ardhur në krye të shqiptarëve. Unë them që “enverizmi” vazhdon akoma. Na ofrohet një model 77-vjeçar, me një histori shumë të errët të menaxhimit të punëve të vendit që na kthehet si ofertë në “Ditën e Rinisë”, edhe si kandidat në zgjedhjet e ardhshme,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se për PS, fokusi është te arsimi, se ku ka arsim ka dije dhe ku ka dije ka vendimmarrje të saktë.
“Ku ka injorancë dhe ku ka padije, vazhdojnë akoma votohen 77-vjeçarët që erdhën si fitimtarë mbi enverizmin dhe vazhdojnë enverizmin edhe sot e kësaj dite si ofertë politike,” deklaroi ai./a.p