Vdekja e Diego Armando Maradonës ka lënë pas shumë hije dyshime, teksa nga Prokuroria bëhet e ditur se hetimi po shkon drejt vërtetimit se mjekët kanë neglizhuar gjendjen e legjendës pas operacionit të këtij të fundit në kokë, në fillim të nëntorit.
Në këtë pjesë, ka ndërhyrë edhe djali i Maradonës, Maradona Xhunior, i cili nga Napoli thekson se babai i tij ishte mirë, ndërsa shton se nuk do të ndalet derisa fajtorët të paguajnë gabimin.
“Ende nuk kam rikuperuar plotësisht nga COVID dhe pneumonia, dua të falenderoj doktorët në Napoli që më shpëtuan jetën. Falenderoj të gjithë doktorët që në këtë moment janë duke përjetuar shumë gjëra të vështira. Dy ditë pas operacionit në kokë të babait tim, fola me të nëpërmjet video-call.
Ai ishte shumë mirë, e pashë me sytë e mi. Dua të di të vërtetën, nëse ka njerëz që kanë bërë gabime atëherë duhet të paguajnë dhe unë do t’i dërgoj para drejtësisë. Tani ka njerëz që janë në hetim.
Derisa unë u përkeqësova nga COVID, unë monitoroja situatën dhe babai ishte mirë. Pastaj, më pas ndonjëherë nuk mund t’i përgjigjesha në video-call, ku ishin edhe fëmijët e tjerë. Unë e zbulova në krevatin e spitalit lajmin për babain.
Telefonoja në Argjentinë, por askush nuk më përgjigjej. Pas 20 minutash më telefonoi gruaja e cila kishte folur me motrën e avokatit të babait dhe më konfirmoi lajmin. Isha i lumtur me babain dhe do doja të kishim më shumë kohë bashkë.
Ai i meritonte t’i shijonte më shumë nipërit, pranë personave që e donin shumë. Unë jam besimtar dhe besoj se secili do të shkoj në përfundim të rrugëtimit, ndërsa tani dua të mbetem me kujtimet e mira nga ai sepse kam qenë vërtet i lumtur, kam provuar të isha një djalë i mirë. Djalit tim ende nuk i kam thënë gjë për Diegon, sepse do ta vuajë shumë”, u shpreh Maradona Xhunior./a.p