Maqedonia e Veriut synon të vaksinojë 60 deri në 70 përqind të popullatës sepse, sipas ekspertëve kjo shifër është e mjaftueshme për të arritur imunitetin e nevojshëm.
Ministri Filipçe tha se çmimi i një vaksine është dhjetë dollarë. “Do të bëhet një trajnim i shpejtë i punonjësve shëndetësorë lidhur me procesin e vaksinimit”, tha ministri duke lënë të kuptohet se vaksinimi i grupeve specifike dhe i punonjësve shëndetësorë do të bëhet nëpër spitalet dhe qendrat publike shëndetësore ku ata punojnë.
Së pari, mjekët dhe personeli shëndetësor i përfshirë në spitalet për trajtimin e pacienëtve me koronavirus do të vaksinohen dhe qytetarët e moshës mbi 65 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje kronike të mushkërive dhe zemrës dhe punonjësit e transportit. Vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Por, vaksinimi nuk pritet të fillojë para muajit mars, sipas autoriteteve shëndetësore. Një sfidë tjetër shoqëruese pritet të jetë ajo e furnizimit me frigoriferë të përshtatshëm për ruajtjen e vaksinave.
Nga ana tjetër, shifrat vazhdojnë të jenë shqetësuese për nga numri i viktimave dhe përhapjes së sëmundjes.
Nga 1 dhjetori, 109 njerëz e kanë humbur jetën duke ngritur shifrën në 1901 të vdekur që nga shpërthimi i pandemisë. Numri i përgithshëm i të diagnostikuarve në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 67.311, teksa numri i rasteve aktive është 22.538.
Në spitalet e Shkupit ka rreth 1300 pacientë të shtruar, ndërsa janë rreth 160 shtretër të lirë. Ndërkaq, në spitalet tjera të vendit janë mbi 840 pacientë me koronavirus.
Qeveria ka shpallur gjendjen e krizës që nënkupton menaxhimin nga shteti edhe të spitaleve private. Ushtria është vënë në dispozicion të sigurimit të spitaleve, ndërsa Komiteti për menaxhimin e gjendjes së krizës kërkon që kjo masë të zgjatet edhe për gjashtë muaj të tjerë, pasi të ketë përfunduar 30-ditëshi i parë.