Ish-presidenti Rexhep Meidani është shprehur në një shkrim të botuar në gazetën Panorama se ministrat e Ramës janë bërë objekt barcaletash.
“Le të kthehemi te një histori humori, që ka filluar të qarkullojë edhe në Shqipëri”, shkruan ish-presidenti. “Sipas saj, një nga ministrat e kabinetit, i sulmuar dhe akuzuar publikisht, pas mjaft dështimesh, në vend të dorëheqjes, u këshillua të shkonte për një vizitë te doktori dhe të bënte skanim të trurit, duke dyshuar për depresion. Pas skanimit, doktori i tha ministrit: “Zoti Ministër, kam dy lajme të hidhura për ju: së pari, sipas skanimit, unë shoh se truri juaj ka dy anë, anën e majtë dhe anën e djathtë”. Ministri, i çuditur nga ky pohim menjëherë e ndërpreu doktorin: “A nuk është kjo normale doktor? Unë gjithmonë kam menduar se çdo tru ka dy anë!”…
“Padyshim”, – iu përgjigj doktori. “Por truri juaj është krejt i pazakontë, sepse në anën e majtë unë nuk gjej asgjë normale, aty nuk ka asgjë të rregullt. Ndërsa, në anën e djathtë, nuk shoh asgjë, nuk ka pasur apo, ndoshta, nuk ka mbetur më asgjë”.
Meidani shkruan më tej: “Ka ministri që flenë gjumë, ndërsa disa të tjera kanë rezultate shumë shpesh ose minimale, ose mediokër. Me to, pavarësisht kokëfortësisë këmbëngulëse, vazhdimi duket praktikisht i pakuptimtë. Për të ndryshuar, qoftë edhe diçka, vlen një këshillë e vyer e Çërçillit, sipas të cilës: ti duhet të shohësh faktet, sepse ato të shohin ty”.
Panorama