Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka reaguar i tronditur, duke e quajtur të pabesueshëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Presidentit të Televizionit “Fax News”, Kasem Hysenbelliu.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Meta thotë se në këto momente të vështira “jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme”.
“Tronditës dhe i pabesueshëm lajmi për humbjen e parakohëshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu, Presidentit të “Fax News”, kësaj media të lirë, të pavarur e dinjitoze.
Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme.
Solidaritet me të gjithë gazetarët e “Fax News” dhe Faxweb.al, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik. I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut! U prehsh në paqen e merituar!”, shkruan Meta.
Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta si pasojë e Covid-19, të themeluesit të televizionit “Fax News”, Kasem Hysenbelliu. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se Hysenbelliu ishte njeri me guxim, duke vlerësuar punën e tij në dy televizione të rëndësishme në vend, Fax News dhe News 24.
“Kasëm Hysenbelliu investoi në median shqiptare me guximin e njeriut që e donte gazetarinë e mirë & për shumë vite administroi me sukses dy televizione. Sot ai u nda nga jeta – ditë e trishtë për gazetarinë & këdo që e njohu e punoi me të. Ngushëllime familjes! U prehtë në paqe!”, shkruan kryebashkiaku.
Ndërsa Kryetari i PD Lulzim Basha ka derguar një mesazh ngushëllimi për ndarjen parakohe nga jeta të Presidentit të Fax News, Kasem Hysenbelliu
“Jam i hidhëruar nga lajmi tonditës për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut, një qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Hysenbelliu për këtë humbje të rëndë! Lutjet dhe mendimet e mia janë sot me ta, si dhe me miqtë, kolegët dhe ekipin e televizionit Fax News.
Për ne që e kemi njohur personalisht, Kasemi do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë dhe një përkrahës i të drejtës dhe të vërtetës. Ai do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias, themelues dhe president i televizionit Fax News, administrator i gazetës më të madhe në vend “Panorama” dhe i televizionit “News24”. Trishtimi dhe dhimbja janë të mëdha për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
g.kosovari