Ish-presidenti shqiptar Rexhep Mejdani u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM). Me këtë rast, Mejdani mbajti në ambientet e kësaj akademie leksionin me temë “Nga faza e tranzicionit në kristal të lëngët, përzierjet dhe sistemet biologjike të atyre në jetën publike, shoqërore dhe politike”.
Për vendimin e ASHAM-it për të shpallur Mejdanin anëtar të jashtëm, ish-presidenti tha se ka qenë i njoftuar disa muaj më parë pasi zgjedhja e tij është bërë me votim pothuajse unanim dhe në këtë drejtim ligjërata e sotme në Shkup shënon dhënien e këtij titulli, transmeton atsh.
“Është një kënaqësi për të gjithë aktivitetin shkencor, shoqëror, publicistik dhe botues të gjithë periudhës time nga shkollimi deri sot”, deklaroi Mejdani, i cili u deklarua edhe për Enciklopedinë e Maqedonisë, ku shqiptarët janë fyer.
“Padyshim, edhe qëndrimi i Akademisë është krejt ndryshe dhe ju së shpejti do të shihni se kjo akademi do të botojë edhe një vepër të Kristo Frashërit. Do të thotë se konceptimi është krejt tjetër dhe se bota lëviz. Bota nuk mbetet në një vend, bota duhet të emancipohet dhe në këtë emancipim të gjithë duhet të japim kontributin tonë përfshirë edhe mediat”, tha ai.
Para akademikëve, ambasadorëve dhe të tjerëve që kishin ardhur për të ndjekur ligjëratën e Mejdanit, për karrierën e tij akademike dhe politike foli akademiku Alajdin Abazi.
Rexhep Mejdani ka mbaruar Fakultetin e Fizikës në Tiranë, ndërsa shkollimin akademik e ka vazhduar në Francë, në fushën e Spektronomisë, ndërsa doktoraturën e ka mbrojtur duke studiuar trupin e ngurtë, në Universitetin e Parisit, në vitin 1976.