Zëvendës ministrja e Arsimit Nina Guga e cilësoi skenari 2, kalimin nga mësimi në shkolla tek ai i alternuar me mësim online nga klasat e gjashta. E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, zëvendës ministrja tha se drejtorët e shkollave janë impenjuar për të përballuar këtë ndryshim dhe se ditët e para sigurisht që do ketë një kujdes të shtuar.
“Që nga data 1 dhjetor, sistemi arsimor kalon nga skenari 1 në skenarin 2.
Duket sikur krijon një kakofoni por drejtoritë e shkollave janë impenjuar për ta përballuar. Nuk do ketë ndryshim të planit mësimor, të orarit apo ngarkesës. Do jetë i njëjti orar. Nuk do ketë ndryshime tek këto gjëra që mund të sillnin konfuzion. Sigurisht ditët e para do kemi një kujdes të shtuar”, u shpreh Guga.
Sipas saj, në pjesën cilësore të mësimit nuk e ndajmë nga ajo që kemi përkujdesin e shëndetit dhe të sigurisë. Lidhur me aksesimin e mësimit online ajo tha se po punohet për shkollat me klasa kolektive.
“Ekspertët po punojnë për të evidentuar gjendjen. Vështirësi kemi në ato zona ku kemi shkolla me klasa kolektive. Në këtë drejtim kemi marrë masa të shtuara. Janë ndarë 10 mijë tableta”, tha ajo.
Sa i përket një skenari 3 ajo tha se skenari aktual ka dhe dy variante të tjera dhe se i treti do të thoshte një izolim i plotë.
“Skenari 3 do jetë skenari ku do kemi izolim të plotë, në karantinë totale. Skenari dy ka tre variante të ndryshme”, u shpreh Guga.