Nga Artur Ajazi
Ajo ç’ka nuk duket, dhe që nuk është e vështirë të zbulohet në gjirin e (ish) opozitës së (vetë)përjashtuar, është pragstuhia mes dy forcave kryesore të një aleance e cila kurrë nuk funksionoi. Lufta për pushtet, mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka nisur tashmë, dhe ajo që duket është vetëm maja e Ajsbergut. Monika Kryemadhi e urren Lulzim Bashën, pasi e di fare mirë se, “një Lulzim në pushtet, do të thotë një armik më shumë për partinë e saj”. Ajo e di fare mirë se, loja e Ilir Metës për të sfumuar Lulzimin, nuk harrohet lehtë nga ky i fundit.
Edhe deklaratat se “në zgjedhje do të futemi me koalicion të përbashkët” është një profkë, dështim dhe mashtrim. Partia Demokratike ka 8 vjet në opozitë, dhe po tenton (në pamundësi totale të saj) të marrë pushtetin e vetme, e shumta me aleatë si Fatmir Mediu apo Dash Shehi, por kurrë me partinë e Ilirit dhe Monikës. Beteja më e egër mes PD dhe LSI, me shumë gjasë do të shfaqet në muajin e fushatës, pas publikimit të listave emërore, pas shpalljes së “projektit për qeverisjen e ardhshme”, dhe më keq akoma pasi Lulzimi të nxjerrë nga dritarja e zyrës së tij “listën me ministrat e qeverisë re”. Beteja mes Lulzimit dhe Ilirit (pasi Monika është thjesht garnitura) do të jetë e ashpër, pasi bëhet fjalë jo për pushtetin (pasi atë nuk e marrin kurrë) por për lidershipin e opozitës së ardhshme e cila do të konturohet pas 25 Prillit 2021. Ilir Meta e di fare mirë se, LSI-ja do të humbë thellë, ashtu siç e di se edhe Partia Demokratike, do të pësojë disfatën më fatale elektorale, ashtu siç nuk e ka pësuar në 30 vjet. Nisur nga kjo, Meta nxiton të bëjë lëvizje kuturru, sa tek Presidenca, ashtu edhe tek listat e kandidatëve, me shpresën se “do të mund të marrë e shumta 4 deputetë, për të qenë faktor në qeverisjen e re”.
Mendjelehtësia dhe mungesa e vizionit, kanë denigruar politikisht pothuajse gjithë segmentin e ndryshkur që nis nga SHQUP-i, dhe përfundon në Presidencë. Beteja mes Lulzimit dhe Ilirit, pritet të nxjerrë në publik të tjera të palara, jo vetëm me të kaluarën e tyre, vjedhjet dhe abuzimet në kohën e pushtetit, por edhe “xhevahire” të tjera që do ti rëndojnë ata penalisht. Beteja elektorale e 25 Prillit 2021, do të jetë mes tyre, dhe jo mes tyre dhe Edi Ramës, i cili e ka zgjidhur pothuajse qysh tani problemin e fitores së mandatit të tretë qeverisës. Fillimisht nga aleanca opozitariste, u deklarua se “ do të hyjmë në zgjedhje me një koalicion të përbashkët”, pasi e shihnin të pamundur fitoren me votë ndaj Edi Ramës. Por pastaj ndryshuan variant, duke deklaruar se “duke patur edhe LSI-në në krah gjatë fushatës, imazhi i PD prishej dhe humbasim vota”.
Një pazar i pistë mes atyre që urrehen, por kur vjen puna tek pushteti, as bashkohen dhe më shumë ndahen. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk i kanë qëndruar “besnikë” asnjëherë marrëveshjeve dhe aleancave mes tyre, dhe kjo është ndoshta arsyeja e vetme, që Lulzimi dhe Iliri më shumë shihen si armiq, se miq politikë mes tyre. Nuk duhen harruar as akuzat, denoncimet, sharjet dhe kërcënimet që dikur i bënin njëri-tjetrit Ilir Meta dhe Sali Berisha, apo dhe Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Asgjë nuk ka ndryshuar qysh nga ajo kohë, thjesht “ujqërit janë zbutur” për momentin, duke besuar se do të shtojnë “bagëtinë” e tyre, e cila ka kohë që është trembur, për të mos u kthyer më. Dita e 25 Prillit, padyshim do të prodhojë më shumë begati elektorale për Edi Ramën, njeriun që me kohë ka lënë pas dore hungërimat e opozitës, për të mos humbur “trenin në stacion”, për njeriun që kurrë nuk merret me “tjetrin” por me fenomenin, duke parë gjithmonë larg-larg, nga e ardhmja, përtej asaj që ofrojnë kulisat e dy partive të plakura, të cilat i përkasin tanimë një kohe të shkuar.
Luli e rreh Ilirin
Ka taktika serbe