Prej disa javësh në fshatin Tavroniti të Kretës kanë filluar mësimet në klasën e gjuhës shqipe. Në klasë janë mbi 30 fëmijë të cilët janë të gjithë të pajisur me libra me fletore.
Mësuesja e tyre, Vera Brozi, e cila iu mëson gjuhën shqipe shprehet mjaft e lumtur që fëmijët po mësojnë gjuhën amtare.
‘Jam e lumtur për fëmijët, që të mos harrojnë rrënjët nga janë. Gjuha është nëj gjë që na përfaqëson, kudo ku jemi. Ishte një ëndërr e imja, dëshira pasioni për mësimin. Merita është e Elvirit, e prindërve dhe e fëmijëve që kishin dëshirë. Unë vetë nuk e besoja se do vinin, janë të vegjël nuk e kuptojnë, kanë aktivitete të ndryshme, janë në kurse, në balet’ -shprehet mësuesja e tyre.
Nënkryetari i shoqatës shqiptare Kissamo-Kasteli thotë se ende presin fëmijë të tjerë që duan të mësojnë gjuhën shqipe. Më tej ai theksoi se librat janë falas nga ministria e Diasporës.
‘Kjo është shkolla e parë që ka hapur shoqata shqiptare. Ia kemi vënë në detyrim vetes tonë, fëmijët dhe prindërit e kanë në dorë. Sa më shumë nxënës aq më shumë do hapim, pa mësues dhe pa nxënës nuk kemi çfarë të bëjmë’– shprehet Elvir Belba.