Skandali i presidentit Ilir Meta me dhënien e nënshtetësisë shqiptare, në shkelje të flagrante të ligjit dhe duke anashkaluar protokollet e sigurisë, personazheve anonimë dhe të dyshimtë, me qëllim për të lëvizur pa viza në Evropë, ka shqetësuar institucionet e larta të Bashkimit Evropian, të cilat kanë ndërhyrë për të t’i dhënë fund kësaj historie të paprecedentë abuzimi.
Alarmi nga BE ka qenë edhe arsyeja e ndryshimi të ligjit për nënshtetësinë të votuar nga Kuvendi para disa muaj që Meta e ka rrëzuar.
Siç zbulon Shqiptraja.com, duke lexuar aktet e Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe Komisionin e Ligjeve, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë shqyrtimit të ligjit të ri për nënshtetësinë, ka paraqitur shqetësimin e Brukselit dhe ka kërkuar që dhënia e shtetësive të veçanta, në emër të interesit kombëtar, të mos i lihej më në dorë presidentit, por të ngrihej një strukturë e posaçme, për verifikimin e të gjithë peronave që kërkojnë të marrin shtetësinë shqiptare, pa plotësuar kushtet ligjore, por si personalitete.
Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë së datës 27 korrik 2020, ku u miratua ligji i ri, gjatë diskutimit të nenit për dhënien e shtetësisë shqiptare për raste të veçanta, si përjashtim nga ligji, përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme theksuan se ngritja e një strukture verifikuese për këtë raste në varësi të qeverisë, reflektonte një shqetësim të Komisioni Evropian.
“…është me vend që reflektohet një lloj shqetësimi nga Komisioni Evropian, që është ngritur edhe në raportimin e fundit që ne kishim në Komitetin për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në kuadër të raportimeve që ne bëjmë në përmbushje të detyrimeve lidhur me plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të progres-raportit”, ka pohuar Rovena Voda.
Referuar procesverbalit të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, Komisioni Evropian është shqetësuar pikërisht për mungesën e kontrollit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës të të huajve që pajisen me nënshtetësi dhe rrjedhimisht me pasaporta shqiptare nga presidenti, në emër të interesit kombëtar.
Në këtë kuadër, Komisioni Evropian ka kërkuar në ligjin e ri për shtetësinë të parashikohej kontrolli i kushteve të sigurisë dhe pastërtisë së figurës së këtyre personave, duke zbatuar standardet më të larta. Për zbatimin e këtij parashikimi është kërkuar ngritja një agjencie shtetërore e posaçme në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë duhet miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Propozimi i Komisionit Evropian është pranuar nga Komisioni i Ligjeve dhe më pas nga Komisioni i Sigurisë, duke u reflektuar në ligjin e ri.
Ligji, i cili i jepte fund abuzimit me dhënien e nënshtetësive, u kundërshtua ashpër nga Ilir Meta dhe u kthyer mbrapsht me dekretin numër 11591, datë 10 gusht 2020, duke u ndalur gjatë në kundërshtimin e nenit 9 të ligjit të ri, i cili reflektonte pikërisht propozimin e Komisionit Evropian, për verifikimin e nënshtetësive të veçanta.
Sipas Metës “Neni 9, i ligjit, që trajton dispozitën e rasteve të veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare, shkel nenin 19 dhe 92 të Kushtetutës, si dhe mbivendos organet shtetërore duke dubluar kompetencat dhe fryrë administratën, në shkelje të efiçencës dhe duke shkaktuar kosto direkte në buxhetin e shtetit”.
Kuvendi e rivotoi në shtator pa asnjë ndryshim ligjin, i cili ka hyrë në fuqi në mes të muajit tetor 2020. Në fakt rezulton se shqetësimi i Metës nuk ishte mbivendosja dhe kostoja në buxhet, por vijimi dhënies së nënshtetësisë shqiptare në mënyrë abuzive si të ishin teserat e LSI-së.
Presidenti Ilir Meta ka përdorur në mënyrë abuzive pikën 7 të nenit 9 të ligjit të vitit 1998, duke u dhënë nënshtetësinë shqiptare, në shmangie të ligjit, në emër të interesit kombëtar, si heronj dhe personalitete mbi 800 personave nga Afrika, Arabia, Turqia, Ukraina, Rusia si dhe shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia, pa plotësuar kushtet ligjore.
Një pjesë e papërfillshme e këtyre personave janë vërtetë personalitete në fushat e tyre, por shumica e emrave rezultojnë personazhe anonimë, këngëtar dasmash dhe tallavaje, një personazh i dënuar me vendim të prerë për vrasje, manipulues votash, njerëz të akuzuar për vjedhje, grabitje pronash dhe të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet.
Një nga rastet ishte ai i futbollistit ganez Winnful Essua Joseph Cobbina, i cili ka përfituar nënshtetësinë brenda 8 ore nga kërkesa, si qokë e Ilir Metës për presidentin e Klubit Tirana, në një kohë kur futbollisti ishte marrë i pandehur për falsifikim të lejes së qëndrimit që mund të ishte pikërisht një nga kushtet përjashtuese për të fituar nënshtetësinë.
Këta personazhe e kanë marrë shtetësinë me firmën e Ilir Metës në emër të interesit madhor kombëtar dhe si ‘asete kombëtare’, alibi kjo për të shmangur ndjekjen e procedurave ligjore dhe Ministrinë e Brendshme, pasi përfituesit nuk plotësonin kushtet ligjore, sidomos atë të qëndrimit jo më pak se 5 vite në Shqipëri.(Shqiptarja.com)