Përballja midis Qeverisë dhe futbollit shqiptar ka arritur në një pikë kulmore, që si rezultat konkret ka patur bojkotin që po bllokon fillimin e kampionateve.
Sipas Fidel Yllit, Liga ka bërë mirë që ka pranuar të ulet në tavolinë, edhe pse kërkesat cilësohen si jorealiste.
“Jam njeri i sportit dhe nuk dua t’i hedh benzinë zjarrit, por duhet një vit zero për futbollin dhe sportin shqiptar në përgjithësi. Kanë 30 vjet që vazhdojnë në të zezë, klubet e futbollit. Në Kuvend i thamë që pas këtyre viteve, do iu japim edhe 2 vite të tjera për t’u regulluar dhe fiskalizuar. Këto kanë çuar një letër ku kanë kërkuar 10 vjet. Mendoj që nuk mund të bëhen kapërcime të kësaj natyre”, thotë ai për A2.
Futbolli është biznes serioz, që kërkon një organizim serioz. “Klubet duhet të kenë burime njerëzore, ekonomistë, juristë, fusha stërvitje personale, aty ku fitimet merren pas 10 vitesh. Këto gëzohen se dalin kampionë, kalojnë dy turne në Europë, dhe gëzohen me ato para. Presidentët kanë lënë lekët e bizneseve të tyre, më vjen keq për to”.
Ylli mendon se qasja e bojkotit e vijuar nga Liga Profesioniste nuk është ajo e duhura dhe se “kryeministrin nuk e mposhtin dot me bojkote, por gatishmëria e tij është që të zgjidhen 100% problemet e sportit”. Dhe shton, “Po femrat pse nuk luajnë, po kategoritë inferiore pse, po fëmijët? Çfarë lidhje kanë me bizneset?”.
Sipas tij, mbrapa bojkotit ndodhet edhe figura e presidentit të FSHF-së, Armando Duka. “Gjithë këtë lojë e bën Duka, nga një anë thotë i takon presidentëve të takohen me kryeministrin, nga ana tjetër thotë prisni ta takoj unë përpara”, thotë deputeti i PS-së. Sipas tij, vetë Liga nuk është pavarur siç duhet të ishte. ”Në Ballkan nuk ka Ligë, Ligë ka Anglia që e ka kuotuar në bursë. E ka Italia dhe Spanja, bëjnë miliarda nga shitja e lojtareve, nga të drejtat televizive, janë biznese fitimprurëse. Kurse këto tanët e kanë zyrën në Air Albania, buxhetin e kanë nga federata, politikat i bën Federata”.
Ylli është mbështetës i ligjit të sponsorizimit, por jo në mënyrën e konceptuar nga Liga. “Kemi nevojë për ligj sponsorizimi, sepse do të përfitojë i gjithë sporti. Por sponsorizimi nuk bëhet si duan këta, që donin të bënin një shtet paralel. Federata e Futbollit nuk mund të bëj politikat e gjithë sportit, do prisheshe e gjithë linja e buxhetit”. Edhe modeli kosovar i propozuar që sipas tij në fakt është marrë nga Bavarisë së pasur, është cituar në mënyrë të gabuar, “sepse 30%-shi i është referuar reklamave, një marrëdhënieje të lirë midis biznesit dhe federatës. Me këtë ligj në Kosovë, ka patur deri më tani vetëm 900 mijë euro financime, pra është diçka që do kohën e vet”.
Por Kosova për Yllin është shembull i mirë, që ve në pah edhe mungesat strukturore të politikave ndaj sportit. “Pse një shtet i ri si Kosova ka një buxhet 11 milionë euro për sportin dhe ne e kemi 900 mijë euro? Kjo tregon që qeveria duhet të jetë më e vëmendshme, edhe pse ka filluar të jetë, pse jo të krijojë një ministri në vete”.
Ylli ka një propozim konkret. “Të hapen bastet sportive, janë 50 milionë euro që mund të marrë sporti. Sikur vetëm bastet të merrte sporti nuk do duhej asnjë lek nga buxheti i shtetit. Ishin bërë si kërpudha, po atëherë t’i marrë në dorë shteti, sepse baste ka edhe në Itali dhe në Angli edhe kudo”.
g.kosovari