Deputeti Myslim Murrizi akuzoi qeverinë se po mashtron sërish qytetarët dhe bizneset për të marrë votat e tyre më 25 prill.
Me tone të ashpra, deputeti iu drejtua mazhorancës, duke i thënë “Ndaj propagandën, talljen, se po shpëtoni shqiptarët, shitjani atij që e gënjeni me një karamele, vetes si sukses, se nuk besoj se shqiptarët do të hanë mashtrime të këtij lloji”.
“Nuk jam kundër heqjes së taksave të asnjë lloj biznesi, por nuk është kjo zgjidhja në 6 muajshin e fundit të mandatit. Bizneset e vogla janë të mbyllura de facto që nga muaji mars dhe faturat e dritave iu kanë shkuar në prill, maj, qershor, identike me vitin e kaluar, se nuk shkonin dot inspektorët për të parë sahatin e dritave.
Sot është dita e 15 e grevës në Ballsh dhe nuk shoh asnjë reagim të qeverisë. Nuk flas për bukën e 800 familjeve për një votë, por ju bëj thirrje ju si mazhorancë, që sot heshtni dhe nuk di kush iu ka kapur prej fyti, të zgjidhni problemin e tyre. Ata kërkojnë të punojnë. Kjo zonja këtu në mënyrë të kundraligjshme pezullon lekët për pagat e tyre. E keni filluar fushatën me të njëjtin avaz mashtrimi si më parë. Më thoni sa familje të fermerëve kanë marrë subvencion në këto 7 vite? Nuk bëhen më shumë se 50 në gjithë Shqipërinë, që kanë përfituar. Ndaj propagandën, talljen, se po shpëtoni shqiptarët, shitjani atij që e gënjeni me një karamele, vetes si sukses, se nuk besoj se shqiptarët do të hanë mashtrime të këtij lloji. Me 3D ju e keni bërë Shqipërinë parajsë, po të shohësh 3D tuaj mendojnë shqiptarët se jetojnë në Zvicër, por t’i shkelësh ato 3D me këmbë duket gjithandej që është gërmadhë. Ju ftoj të zbrisni me këmbë në tokë, të hiqni litarin që keni në fyt.
Qeveria prej kohësh nuk komandohet nga vullneti politik i socialistëve që e votuan më 2017, këtë e pamë edhe gjatë pandemisë, apo kur mes vetes filluat të fusnit shkopinj e rrota. Jo të gjithë jeni të kapur. Ka këtu pseudoministra, që para se të raportojnë në grup të PS do shkojnë ta shpjegojnë diku tjetër se çfarë po bëjnë, ka këtu argatë të atyre që kur ishin në opozitë nuk latë gjë pa thënë. Do doja shumë që t’iu shihja më 25 prill se cfarë do iu thonit qytetarëve për mashtrimet dhe premtimet e pambajtura deri më tani. Ju e dini mirë që 250 mijë familje fermerë janë në fije të hallit, sepse kokërr leku nuk shkon tek ata, por shkon tek ata që iu i jepni para.
Besoj që bujqësia është sektor, ndoshta i vetmi, prodhues në këto 30 vite. E lanë në harresë, sepse në bujqësi nuk të kthehet mbrapsht 10% i fashmëm. Dënglat e tjera se po i ulni akcizën, po i hiqni taksën, nuk pinë ujë”, tha Murrizi.
/e.rr