Ish-deputeti i PD dhe përfaqësues i kësaj partie, Aldo Bumçi, teksa foli për progres-raportin e Komisionit Europian, tha në A2 se nëse do të kishte Gjykatë Kushtetuese dhe do të ishte respektuar marrëveshja e “5 qershorit”, shanset për hapjen e negociatave do të ishin shumë të mëdha.
Për Bumçin, ne jemi në këto pozita vetëm për shkak të këmbënguljes së Edi Ramës.
Më tej, Bumçi kritikon edhe raportet e Komisionit Europian, duke theksuar se kanë “mbyllur sytë” për gjendjen në Shqipëri.
Për të, Komisioni e ka zhbërë vetveten.
“U bë disa vite radhazi që Komisioni Europian thotë për Shqipërinë që i ka plotësuar të gjitha kushtet. Vetëm raporti i fundit pranon se disa kushte nuk janë përmbushur, por janë pothuajse të përmbushura. Komisioni, për një sërë arsyesh, ka prodhuar raporte që mbyllnin sytë ndaj gjendjes. Kjo mund të jetë bërë edhe për vullnetin e mirë për t’i mbështetur këto vende. Por, kur i thua një ngelësi e ke bërë shumë mirë, ai nuk nxitet të punojë. Më pas, nga 5 kushte u bënë 10 kushte. Në raportin e fundit ka më shumë realizëm, përgjithësisht është një frymë që i ka karakterizuar edhe raportet e fundit. Në një farë mënyre, Komisioni e ka zhbërë vetveten, nuk është më aktor, nuk është më i besueshëm për vendet anëtare. Atëherë për kë është? Për ne shqiptarët? Pse, do të na e tregojë realitetin se si jetojmë në Shqipëri një raport? Kur i thonë gjermanët e të tjerë, se ky raport nuk qëndron dhe ne kemi kushte shtesë, kjo flet qartë për seriozitetin e raportit”, u shpreh Bumçi.
/a.r