Nga Artur Ajazi
Ilir Meta ka humbur shumë baste, dhe vazhdon ti humbasë ato, jo vetëm nga padija, por edhe nga llogaritja e gabuar që ai bën vazhdimisht kur kërkon të “matet me hijen e mëngjesit”. Por në fakt Ilir Meta ka humbur shumë baste, por më të shumtët i ka humbur me ish-mikun e tij, me njeriun që e bëri edhe kryetar shteti, me kryeministrin Edi Rama. Ka humbur ai, bastin kur tha se “qeverisja e socialistëve ka kaluar dhe kalon nga LSI”, ka humbur ai bastin kur ka deklaruar se “në 2017 zgjedhjet i fiton PD dhe LSI”, ka humbur ai bastin kur ka deklaruar se “kjo qeveri nuk e mbyll dot mandatin e dytë”, ka humbur bastin e përballimit të tërmetit por edhe përballjes me sukses të pandemisë së COVID-19.
Gjithashtu Ilir Meta vazhdon pothuajse çdo ditë të humbasë baste, edhe kur deklaron se “Rama duhet të më japë llogari mua se çfarë ka folur me kryeministrin e Greqisë për detin”, madje paracakton edhe afate kohore. Një tjetër bast i humbur i Metës me Edi Ramën mbetet edhe kur ai paralajmëron “revolucion me shumicën e popullit në sheshe” apo dhe “përmbysje me dhunë”, dhe pastaj tërhiqet dhe sillet sikur nuk ka ndodhur gjë. Në fakt duhet parë më gjërë problemi i Metës. Ndoshta ka të bëjë me luhatjet psikomendore të tij, ndoshta me frikën e madhe të kuptueshme që ai ndjen nga drejtësia e re, nga humbja e thellë dhe e paimagjinueshme e partisë tij në 25 Prill 2021, apo dhe nga “faktorë” të tjerë të paeksplorueshëm deri tani. Por gjithsesi, Meta e di fare mirë se me Edi Ramën, nuk mund të fitosh kollaj baste, edhe kur je mik, apo dhe “armik” me të.
Kjo për faktin sepse Edi Rama, e ka krijuar tashmë pas një eksperience të gjatë pune si drejtues, staturën e tij, pjekurinë por dhe aftësinë e lindur, lidhur me qëndrimet konstante që duhet të mbash në rast se ke vendosur të vazhdosh gjatë karrierën si politikan. Bastet e humbura me Edi Ramën, kryetari i shtetit në detyrë (dhe që së fundi po sillet sikur të ishte kryetar opozite) vazhdimisht i ka servirur jo vetëm si “fitore” por ka mundur ti trajtojë ato edhe si “zbutje të qëndrimeve të presidentit për hir të tolerancës”.
Duket si paradoksale, tek e dëgjon kryetarin e shtetit që pasi hedh vallen dibrane, gjirokastrite, apo dhe kolonjare, i kthehet avazit tjetër të mesazheve ndaj “qeverisjes së mbrapshtë dhe kryeministrit Rama”. Ai asnjëherë nuk harron (madje edhe kur shkon në plazh me miqtë e tij meditaikë) të postojë foto mes malesh, mes mollësh apo fermerësh, ku “thumbon” sipas sitilit të tij, dhe nuk harron të dërgojë ultimatume. Një gallatë e paparë, tek dëgjon dhe lexon rreshtat e postimeve të kryetarit të shtetit tënd. A thua e meritonte Shqipëria këtë rrisk? A thua e meritonin shqiptarët të kishin në krye të shtetit, një ekstremist në qëndrimet e tij ndaj qeverisjes së ligjshme, ndaj Parlamentit dhe kryeministrit, një njeri që ka 2 vjet e ca, që bën sherr me të gjithë botën, bën sherr edhe me vehten, vetëm të arrijë të pamundurën, të fitojë bastin (e humbur) për të përmbysur Edi Ramën.
Pamundësia e Ilirit të fitojë qoftë edhe njëherë të vetme bastin me Edin, qëndron tek frika e tij, tek dyzimi i tij, për ti qëndruar deri në fund paralajmërimeve dhe kërcënimeve, apo dhe tek boshllëku që ka nisur të ndjejë kudo shkon, edhe pse hyn në “valle” pa e menduar mirë fundin e saj. Politika nuk mund të jetë më bixhoz, nga ku llogariten paratë që do të fitosh kur të marrësh pushtetin, por është aftësi për të drejtuar dhe qëndruar stoik mbi premtimet e dhëna, ndaj i humbet gjithmonë bastet e tij kryetari shtetit.
Likja ka frike nga burgu