Në debatet e kuvendit të Shqipërisë në vitin ‘95 deputetja socialiste e asaj kohe, Ermelinda Meksi e ngriti pikërisht këtë shqetësim. Ajo kërkonte që vlera e bonove të mbrohej me një ligj të posaçëm nga parlamenti. Që ato kur të dilnin në treg të mos u humbiste vlera.
“Bonot filluan të tregtoheshin në fillim me 25 – 27 % të vlerës nominale. Dhe u katandisën në 1.5 %. Pse ? Sepse u hodhën bonot në qarkullim dhe nuk u hodhën ndërmarrjet. 97 ndërmarrje janë privatizuar më bono në atë periudhë dhe këto u hodhën me vonesë. Pra, në ekonomi njihet si kërkesë – ofertë. Ishte oferta e parasë, para privatizimi, por nuk kishte se çfarë të blinin me këto para gjer sa tregu u mbyll”, tregon Fatmir Mema, ekspert i ekonomisë.
“Fatkeqësia kjo është sepse kur tashmë kishte në treg miliarda lekë në vlerë nominale të bonove, ndërkohë procesi i privatizimit nuk kishte filluar akoma, kishte një presion të madh në treg për ti këmbyer”, tregon Elvin Meka, ekspert i ekonomisë.
Kjo është tabela se si ka lëvizur çmimi i bonove të privatizimit në tregun e zi nga janari ‘96 në maj të vitit ‘97. Nga muaji në muaj vihet re një rënia drastike e çmimit. Nga 25 % e vlerës nominale ato brenda vitit shkuan në 1.5 %. Këtu duhet të bëjmë një sqarim. Vlera e bonove ra ndjeshëm vetëm në tregun e zi. Ndërsa në proces privatizimi ato njiheshin me vlerën 100%. Ata që arrinin të futeshin në privatizim dhe kishin informacion e duhur për ankandet kishin përfitime të mëdha nga kjo skemë.
“Ata që kishin dijeni të kësaj loje sepse shikonin edhe vendet e lindjes, ata e dinin shumë mirë që unë mora 200 mije lekë, ose 20 mijë lekë. Duke i shitur me 3 % unë merrja vetëm 6 mijë lekë. Atëherë ata ma blinin mua 6 mijë lekë dhe kur shkonin blinin ndërmarrje e përdorin për 20 mijë lekë. Pra e blenin për 6 dhe e tregtonin për 20”, tregon Fatmir Mema, ekspert i ekonomisë.
Pra, tregu i zi i bonove solli përfitime për ata njerëz që ishin afër politikës. Imagjinoni vitin ‘95 kur nuk kishte as internet, as televizione. Ndërmarrjet shtetërore dilnin në ankande që askush nuk i merrte vesh. Vetëm disa njerëz që kishin informatorë brenda politikës kur merrnin vesh se do bëhej një privatizim shkon dhe grumbullonin bonot në tregun e zi me vlerë shumë të vogël. / top story/ tch
g.kosovari