Manchester United barazoi 0-0 në “Old Trafford” ndaj PSV-së në ndeshjen e vlefshme për Grupin B të Ligës së Kampionëve. “Djajtë e Kuq” duhet të presin javën e fundit për të siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8-ave.
United dominoi në kontrollin e topit duke e vënë në provë disa herë portierin e PSV-së, Jeroen Zoet, por nuk arritën të gjenin golin e avantazhit. Në pjesën e dytë Van Gaal hodhi në fushë edhe belgun Marouane Fellaini, por rastin më të mirë për shënim e pati i riu Jesse Lingard.
PSV-ja arriti të mbajë hapur shanset për kualifikim, teksa në ndeshjen e fundit do të presë rusët e CSKA-së së Moskës, me Manchester United që do të udhëtojë në Gjermani për t’u përballur me Wolfsburgun.
Fitorja në ndeshjen e sotme do ti kishte siguruar një vend në 1/8-at ekipit të drejtuar nga Louis Van Gaal, të cilët tashmë do të luajnë një ndeshje delikate ndaj Wolfsburgut duke ditur që nëse nuk fitojnë, PSV-ja mund ti parakalojë në renditje në Grupin B. Holandezët presin CSKA-në në ndeshjen e tyre të fundit.