Protesta e naftëtarëve para ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës është tensionuar, pasi ata kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë për t’iu afruar godinës së MIE.
Ata deklarojnë se kanë 20 paga të pa marra dhe 11 muaj pa punë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është e vështirë. Naftëtarët deklarojnë se protestat dhe manifestimet kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme.
Protestuesit paralajmërojnë se kanë marrë masa edhe për protesta të dhunshme.
“Mos na detyrojnë të përdorim dhunë. I kemi marrë masat edhe për dhunë”, tha një prej protestueseve.
Protestuesit shprehen të vendosur që do të qëndrojnë aty deri në një komunikim me përfaqësues të ministrisë. Sipas tyre, këto rroga janë e vetmja burim i të ardhurave.
’20 paga të pa marra. A ka paligjshmëri më të madhe t’i hedhësh punëtorët në mes të rrugës. nuk e di si jetojnë këta punëtor, nuk e di si moshatarët e mirë përballen mes mos edukimit. Policia e Shtetit le ta heqë uniformën, se varën nga taksat tona”, tha një nga punonjëset.
Ata shprehen se Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku duhet të presë në takim një nga përfaqësuesit e protestës.
“Le ta shkrijnë sot atë kompani nëse del me humbje. I bëj thirrje policisë minimalisht një nga këta të marrë përfaqësuesit tanë dhe ministrja ta presë këtë njeri, nuk është një rrugëtar kalimthi. Turp që në 2020 trokitëm në një derë dhe nuk hapën. ne jemi me ju, dhe ju duhet të na mbështesni. Të vlerësojnë mundin dhe sakrificën që këta naftëtarë kanë 11 muaj që sorrollaten”, tha një tjetër.
g.kosovari