Drejtori i Policisë së Tiranë, Rebani Jaupaj, bëri të tjera detaje në lidhje me atentatin e ditës së sotme ku në makinën që udhëtonte Preng Gjini shpërtheu një sasi eksplozivi.
Kryepolici i kryeqytetit deklaroi se makina ka shpërthyer në lëvizje, gjatë momentit që po futej në urë. Menjëherë është ngritur një grup hetimor nga specialistët e Policisë së Tiranës, të cilët po hetojnë për arsyet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Jaupaj nuk bëri të ditura të gjitha pistat e hetimit, por tha se një ndër to është ajo e hakmarrjes.
“Sapo mjeti është futur në urë nga drejtues Preng Gjini ka ndodhur një shpërthim. Është ngritur një grup hetimor nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Tiranës në bashkëpunim me një qark tjetër që ne po kryejmë veprimet. Po përcaktojmë llojin e lëndës shpërthyese, njëherazi kemi ngritur edhe pistat e hetimit për të cilat dyshojmë se ka ndodhur kjo gjë. Nuk dua të bëj me dije, por ka pista për një hakmarrje midis personit që është dëmtuar dhe disa qytetarëve të tjerë”, tha Jaupaj.
Drejtori i Policisë së Tiranës u shpreh se ka shpresa që gjendja shëndetësore e Gjinit të vijë drejt përmirësimit, ndërsa nga ngjarja ka mbetur i plagosur edhe një qytetar italian. Ky i fundit është plagosur lehtë dhe po kalonte rrugën në momentin e ngjarjes.
“Është edhe një qytetar italian, i cili është dëmtuar lehtë pas momentit të shpërthimit”, tha Jaupaj.
Preng Gjini po lëvizte me makinë, kur një shpërthim i fuqishëm përfshiu në flakë automjetin. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e “Pallatit me Shigjeta”.
Shpërthimi ishte i fuqishëm dhe bëri që qytetarë të shumtë të mblidheshin në vendngjarje.
Preng Gjini është vëllai i Armando Gjinit, i vrarë në një atentat në Rrëshen, në Gusht të 2019-s. Pas ngjarjes së sotme dyshohet se fshihen motivet e hakmarrjes.
Armando Gjini, ishte nga ish-anëtarët e grupit të Met Kananit dhe u ekzekutua në me breshëri automatiku në qendër të Rrëshenit.
/a.r