Një seri veprimesh ligjore e procedurale të avokatëve mbrojtës të deputetit të akuzuar për plagosje, kanosje dhe armëmbajtje pa leje, kanë paraprirë vendimin e tri ditëve më parë në Gjykatën e Lartë, shkruan gazeta “Panorama”.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, veprimet në fjalë janë shoqëruar edhe me një “çudi” të padëgjuar më parë. Sipas organit të akuzës, fjala është për administrimin në dosje të procesverbaleve dhe ekspertizës në lidhje me një gëzhojë arme 9 mm.
Kjo gëzhojë, sipas Prokurorisë, është sekuestruar në zonën e Fushë-Kuqes, në rrugën drejt Lagunës së Patokut. Ajo është marrë me procesverbal, rreth 50 ditë pas “përplasjes” mes deputetit Armando Prenga dhe anëtarëve të familjes Cali. Ngjarja ndodhi më 5 shtator 2015. Pavarësisht se kishin kaluar 50 ditë nga ngjarja, gëzhoja siç thuhet në procesverbal është gjetur “në këmbë”, pra në pozicion vertikal.
Nga këqyrja e saj, ka rezultuar se edhe pse kanë kaluar 50 ditë, gëzhoja ishte fringo e re dhe thuajse e pandikuar nga faktorët atmosferikë si pluhuri dhe lagështira. Sipas Prokurorisë, ndonëse e një arme model pistoletë “Beretta”, si ajo që deputeti Prenga ka pasur me leje, gëzhoja nga ekspertimi ka dalë se nuk është qitur nga arma në fjalë.
Lirimi
Pavarësisht elementëve të dyshimtë të kësaj historie, sipas Prokurorisë, procesverbali dhe ekspertiza mbi gëzhojën në fjalë shërbyen për të vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë. Avokatët e deputetit Prenga bënë kërkesë në Gjykatën e Lartë për zëvendësim të masës së sigurisë, pikërisht bazuar mbi procesverbalin e sekuestrimit të gëzhojës në fjalë në Fushë-Kuqe.
Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e avokatëve dhe tri ditë më parë nxori deputetin Prenga nga masa e sigurisë “arrest me burg” në atë të “arrestit të shtëpisë”. Gjatë seancës së tri ditëve më parë në Gjykatën e Lartë, trupi gjykues u njoh me veprimet hetimore të Prokurorisë për çështjen.
Prokuroria tha në seancë se deputeti akuzohej për dy episode, përballjen e parë me Gjok Calin në Fushë-Kuqe dhe për përballjen te Komisariati i Policisë. Si provë, në proces u paraqit akt-ekspertimi që përcakton se një gëzhojë e gjetur në Fushë-Kuqe, ku deputeti pretendon se ka qëlluar me armë në ajër, nuk i përket armës me leje të tij.
Prokurorët thanë se kjo gëzhojë nuk përputhet as me gëzhojat e gjetura para Komisariatit, të cilat u përkasin armëve “Kallashnikov” dhe “TT”. Në seancë njëri nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë ka pyetur përfaqësuesit e prokurorisë, duke thënë: “Pra na dalin tri armë?”.
PANORAMA