Nga Artur Ajazi
Pothuajse çdo 12 Shtator, nga Partia Demokratike, dalin drejtuesit dhe ish-drejtuesit e saj “shpirtërorë” dhe shkojnë tek memoriali Azem Hajdarit. Shkojnë ata, dhe nuk harrojnë ti thurrin atij “fjalime dhe hymne” edhe 22 vjet pa vdekjes, dhe kjo për faktin sepse vrasja e Azem Hajdarit, u duhet akoma edhe ca vite. U duhet atyre që deri pak muaj para se të vritej, e kishin sikterisur nga partia, u duhet atyre që deri para pak muajve se ta vrisnin e kishin shpallur Azemin “trashëtar të PD”, dhe nuk lanë gjë, pa i thënë në gazetën “RD” dhe mediat e tyre. Ata që sot u “ngrejnë” e “qajnë dhe e nderojnë” Azem Hajdarin, janë hipokrizia e SHQUP-it, janë e shkuara më e errët e asaj partie, e cila edhe nderimet, ti bën me përbuzje dhe përçmim.
Azem Hajdari u vra në mënyrën më të pabesë, në mënyrën më barbare para selisë së Partisë Demokratike, para asaj partie të cilës i kishte dhënë shumë, dhe në fund mori mosmirënjohjen nga ata që e përdorën deri ditën e fundit. Ashtu si Doktori , në këto 2-3 vitet e fundit, Azem Hajdarin ka nisur ta “nderojë” me praninë e tij edhe Lulzim Basha, i cili jam i bindur se nuk e ka njohur fare, dhe nuk i di aq mirë, vlerat dhe kontributet e tij në PD. Lulzimi, nuk harron çdo 12 Shtator, të porosisë kurorën me lule, ti mbajë edhe ndonjë fjalim, dhe ti përkulet Azemit tek memoriali, por nuk na shpjegon akoma se përse ja flaku të bijën nga Partia Demokratike.
Lulzim Basha e ngre dhe e “lartëson” emrin dhe figurën e Azem Hajdarit deri në piedestal, (sepse i duhet akoma) por nuk na shpejgon sepse i ndërseu gjithë sejmenët e tij Rudina Hajdarit, se përse nuk di të drejtojë partinë, se përse nuk di të bëjë opozitën, se përse kërkon pushtetin kur nuk është i zoti, as ta marrë me votë, dhe as ta mbajë. Por në fakt, duhet të jetë Rudina, e bija e Azem Hajdarit, ajo që duhet të ndalë hipokritët të vazhdojnë dhe ta përdorin emrin dhe konkributin e babait të saj, duhet të jetë Rudina, ajo që duhet të kërkojë nga Doktori dhe sejmenët, shkaqet dhe arsyet e vërteta të vrasjes se babait të saj, duhet të jetë Rudina, ajo që nuk duhet të lejojë më kortezhin e servilëve dhe hipokritëve të SHQUP-it, të vijnë çdo 12 Shtator, dhe të “përloten” para memorialit të tij.
Ka ardhur koha që të dalin para përgjegjësisë ligjore, ata që luajtën me emrin dhe fatin e Azem Hajdarit, ata që deri dje e fyen dhe sikterrisën, dhe sot e përdorin si “mburojë” emrin dhe vrasjen e tij. Ajo që ka bërë dikur Doktori, dhe ajo që po bën sot Basha me kurorën me lule dhe fjalimet për Azemin çdo 12 Shtator, nuk është gjë tjetër, veçse përbaltje ndaj emrit dhe veprës së tij. Duke përdorur çdo 12 Shtator shprehjet cinike si “Azem ti je gjallë, Azemi heroi demokracisë, vepra e tij frymëzim për ne ”, apo dhe shprehje të tjera standarde, duket sikur i heqin vërtetë vlerat dhe kontributet, që ai ka patur në Partinë Demokratike, aq më tepër kur ato dalin nga goja e atyre, që me atë parti i ka lidhur vetëm karriera politike, pushteti, dhe pasuria marramendëse. Boll u tallët me Azemin, boll e përgojuat dhe e përbaltët me hipokrizinë tuaj, o “dashnorë” të parasë dhe pushtetit, boll luajtët teatër, se nuk ju beson më njeri.
Tamam hijena hipokrite