Ekspertja e ISHP, Eugena Tomini ka folur për situatën në vend nga COVID-19, ndërsa foli edhe për rikthimin e nxënësve në shkolla.
Tomini ka thënë se situata deri tani është e qëndrueshme, por nuk mund të themi që po dalim nga kjo situatë pasi kemi një kthim të administratës në funksion të plotë dhe gjithashtu kthim të nxënësve në shkolla.
Sa i përket sugjerimit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha për testimin e të gjithë mësuesve, Tomini në News 24, tha se janë rrahur të gjitha idetë, por nuk është kjo strategjia që po ndiqet tani.
‘Kemi pasur një situatë me nxënësit e gjimnazeve. Eksperienca na tregoi evidentimin në kohë të rasteve sporadike. Evidentimi i temperaturës bëri të mundur që të evitonim përhapjen.
Edhe nxënësit duhet të testohen, edhe personeli mbështetës, pra i bie që të bëjmë një screenim masiv të prezencës së COVID në vend por nuk është kjo strategjia e ndjekur deri tani. Nëse testojmë për efekte shkencore është një element tjetër. Janë elementë të ndarë nga strategjia për çdo rast të ndryshuar, në testojmë, gjurmojnë dhe parandalojmë vatrat. Brenda 24 orëve testojmë gjithë mësuesit dhe ata që janë të prekur kalojnë në shtëpi”, u shpreh Tomini.
Tomini gjithashtu tha se në rast se do kemi shfaqjen e një rasti të vetëm dhe nuk do kemi transmetim komunitar do izolohet ai nxënës dhe kontaktet e ngushta. “Nëse do kemi më shumë se një nxënës do të thotë që klasa do të izolohet e gjitha. Nëse do shfaqen shenja do t’iu bëhet tamponi dhe do bëjë karantinën dhe vatra familjare do izolohet dhe do monitorohet.
Protokolli ka disa elementë që janë tepër strikt dhe nuk duhen lëvizur. Nëse nuk do kishim dakordësinë e MASR ky protokoll nuk do zbatohej”, tha Tomini.
Ajo theksoi se të gjitha grupmoshat janë të risku.
E pyetur konkretisht nëse një fëmijë ka temperaturë, Tomini tha se një fëmijë me 37.5 si nuk mund të hyjë në një qendër tregtare as nuk mund të hyjë në institucionet arsimore.
“Një fëmijë me temperaturë më shumë se 37.4 nuk do çohet në shkollë por do monitorohet nga prindi dhe mjeku i familjes në shtëpi. Duhet të jeni i lidhur me mjekun pediatër. Mjeku pediatër dhe i familjes pasi konstaton me triazhim telefonik apo në klinikë vërteton apo rekomandon që ky fëmijë nuk sugjeron klinikë COVID ose jep një vërtetim nëse bën tampon.
Çfarë do më sillte pritja, do kisha të njëjtin grup nxënësish, mësuesit kështu që nuk do ta privoja as ditën e parë, as ditën e katërt. Rekomandimet duhet të zbatohen”, theksoi Tomini.
/e.rr