Pandemia ka nxjerrë nga tregu i punës 48.7 mijë të papunë, në krahasim me dhjetorin e 2019, sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT.
Të dhënat i referohen burimeve administrative, që matin numrin mesatar të të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor (mesatare tremujore e llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve) si dhe numrit mesatar të të punësuarve në sektorin bujqësor bazohet në vlerësimet tremujore të Anketës së Forcave të Punës.
Në fund të qershorit, në vend kishte gjithsej 1.1 milion të punësuar, nga 1.15 milionë në fund të tremujorit të katërt 2019.
Rënia më e fortë ka qenë në sektorin privat jo bujqësor, ku u regjistruan gati 30 mijë të punësuar më pak se në fund të 2019-s, me një tkurrje prej 6%. Ky është numri më i ulët i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, që nga tremujori i tretë i vitit 2017. Ndonëse qeveria mori masa për mbështetjen e bizneseve që u ndaluan të punonin dhe atyre që nuk kishin mundësi të punonin, përmes dy paketave mbështetëse, kjo sërish nuk e ka ndaluar hemorragjinë e të punësuarve.
Nga sektori privat bujqësor, INSTAT ka gjetur nga anketa se nga tregu i punës kanë dalë rreth 18 mijë persona, me rënie prej 4% në krahasim me fundin e 2019-n.
Edhe nga sektori shtetëror rezultojnë gati 2 mijë të punësuar më pak.
Në fund të qershorit 2020, rreth 44% të totalit të të punësuarve ishin në sektorin privat jo bujqësor. 40% punonin në bujqësi dhe pjesa tjetër (rreth 16%) është e punësuar në administratën shtetërore.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një rritje edhe të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Numri i tyre arriti në 84.7 mijë në fund të tremujorit të dytë, ose 14 mijë më shumë në krahasim me fundin e 2019-s, shkruan ‘monitor’.
Rritja më e madhe ishte nga “Punëkërkues të papunë të regjistruar për herë të parë në zyrat e punës” (+5,178) dhe nga “Punëkërkues të papunë të regjistruar të moshës 16-29 vjeç” (3,619), që tregon një shtim të papunësisë tek të rinjtë, por edhe hyrjen në radhët e të papunëve të personave që më parë e kishin një angazhim.
Paketat e ndihmës
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nga paketa e parë financiare, që parashikonte pagesa prej 26 mijë lekësh në muaj për tre muaj radhazi (mars-maj) kanë përfituar gjithsej rreth 65 mijë persona, të punësuar në gati 39 mijë subjekte të vogla. Shuma e akorduar për ta, përfshirë edhe dyfishimin e pagesave të papunësisë është 5.8 miliardë lekë.
Për paketën e dytë, që përfshinte katër masa (të punësuarit e tjerë të bizneseve të vogla që nuk përfituan nga paketa e parë; të punësuarit te biznesi i madh që ishin të mbyllur nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë; të punësuarit te biznesi i madh të larguar nga puna deri në 16 maj; Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, që ishin në listëpagesa)janë paguar gjithsej 172.4 mijë persona, për një vlerë prej 8.9 miliardë lekësh.
Në total, shuma e paguar për mbështetjen e biznesit për të dy paketat ishte 12.7 miliardë lekë.