E ftuar në emisionin “Open” në Top Channel mbrëmjen e kaluar, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi u pyet për skandalin e humbjes së gjyqit në arbitrazh ndaj kompanisë Aktor që ndërtoi rrugën Tiranë-Elbasan.
Kryemadhi mohoi që zyrtarët e saj të kenë përgjegjësi në këtë çështje pavarësisht se kanë drejtuar Ministrinë e Transportit dhe Drejtorinë e Rrugëve në periudhën 2013-2017.
Duke komentuar dy shtesat e kontratave të cilat ishin dhe thelbi i humbjes së arbitrazhit, Kryemadhi tha “nuk ka asnjë firmë të Edmond Haxhinastos. Nuk ka asnjë firmë të Dashamir Xhikës. E ka firmosur Afrim Qendro që ishte kryetar i Këshillit Teknik të ARRSH, e ka firmosur Sokol Olldashi dhe Damian Gjiknuri”.
Po si është e vërteta e historisë? Shtesa e parë e kontratës është bërë në Këshillin Teknik të ARRSH në 15 Korrik 2012, kohë kur Ministrinë e Transporteve dhe Autoritetin Rrugor e drejtonin përfaqësuesit e Partisë Demokratike, asokohe në pushtet.
Në vijim bordi i ngritur me firmën e Ministrit Haxhinasto në 3 Korrik 2015, ka marrë në shqyrtim problematikat dhe pretendimet e kompanisë Aktor. Ndërsa në 23 Shkurt 2016, ARRSH ka marrë vendimin për miratimin e shtesës së dytë të kontratës.
Gënjeshtra e parë e Kryemadhit është pretendimi se shtesat janë firmosur nga Damian Gjiknuri. Ky i fundit mori drejtimin e Ministrisë së Transportit në Shtator te vitit 2017. Gjiknuri madje urdhëroi auditimin e kontratës së Tiranë-Elbasan dhe dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kallëzimin penal për ish drejtuesit e ARRSH Dashamir Xhika dhe Njësinë Menaxhuese të këtij projekti Aksel Qurduka dhe Albens Alite. Auditi konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 54 milion USD nga nënshkrimi i amendimeve të kontratës pa burime financiare.
Mbi bazën e këtij kallëzimi, prokuroria vuri në pranga të kallëzuarit të cilët për ironi të fatit sot janë të gjithë të lirë.
Gënjeshtra tjetër e Kryemadhit ishte deklarata se shtesat ishin firmosur nga Afrim Qendro në cilësine e kryetarit të Këshillit Teknik. Siç shihet në shkresën bashkëlidhur, Afrim Qendro nuk ështe kryetar por sekretar i Këshillit Teknik ndërsa kryetar ishte Dashamir Xhika i LSI. Fakti më i rëndësishëm është që në vendimin e Këshillit me firmën e Xhikos, Qendro ka shkruar “Nuk jam dakort”.
Qartësisht del se konflikti dhe pretendimet e Aktor kanë për bazë vendimet e marra në kohën kur Ministrinë e Transportit e drejtonte PD (viti 2012) e më pas LSI e Monika Kryemadhit përmes Edmond Haxhinastos e më Sokol Dervishajt nga 2013 deri ne Shtator 2017. Drejtorinë e Rrugëve e drejtonte Dashamir Xhika, i kallëzuar nga Gjiknuri, i prangosur nga prokuroria dhe i liruar nga gjykata ndërsa vazhdon fushatën partiake krah Kryemadhit në Elbasan./Tema
/e.rr