Nga Alba Malltezi
Në vendin tonë të vogël ku historitë e hajdutëve ngatërrohen me historitë e të vjedhurve, ku historitë e vrasësve përzihen me ato të viktimave, ku historitë e të drejtëve me historitë e të padrejtëve, në mënyrë të natyrshme, një popull i përzier tinzërisht me mjegull e me hile, kërkon një fije shpresë.
Pa e vrarë shumë mendjen, por duke u bazuar në rrahjet e zemrës, shumë shqiptarë përgjigjen se kanë mike dhe aleate Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo është një ndjenjë që arrin e pastër, e gjetur pasi të gjithë zhytemi me sy mbyllur për të kërkuar oksigjenin e munguar dhe Drejtësia dhe e Vërteta janë dy furnizimet e shenjta që një popull të ecë e të jetojë i qetë.
Janë dy histori të jashtëzakonshme Drejtësie që vijnë nga Shtetet e Bashkuara: E para është fitorja e gazetarit amerikan Guy Lawson ndaj një proçesi të hapur nga djali i Sali Berishës, i përmendur në libër e filmin e Hollivudit në ngjarjen më të rëndë pas viteve ’90, Tragjedinë e Gërdecit dhe i pandëshkuar dhe i pahetuar kurrë në Shqipëri.
E dyta, e para pak viteve. Fitorja e Ornela Canajt, motrës së 16 vjeçares Alda Canaj, vrarë bashkë me nënën e saj nga përndjekësi, stalker-i me pushtet dhe i mbrojtur nga pushteti, ish-Shikasi Marjan Rroku.
Janë dy histori të denja për filma të jashtëzakonshëm Hollivudi, por fatkeqësisht kanë ndodhur realisht të dyja në Tiranë. E rëndë dhe flagrante deri në dhimbje përfshirja e Shtetit-Mafia-Familje të Sali Berishës në historinë e dhimbshme të Gërdecit. E tejskajshme deri në piskamë historia e Aldës së vogël dhe nënës së saj. Meriton të sjellim në vëmendje historinë e Ornelës, motrës së mbetur e vetme pas vrasjes së dy të dashurave të saj.
Në Shqipëri fatin nuk e vendosin politikanët, apo individët. Ata kanë treguar se merren më shumë me verërat, shtëpitë, pasuritë, udhëtimet, drekat e darkat se sa me fatin real të popullit shqiptar. Lëvizjet e rëndësishme i bëjnë njerëz të padukshëm dhe të drejtë që janë nëpër cepa institucionesh, mediash, shoqatash, ambasadash. Ata njohin dhe ndihmojnë si një frymë e mirë të dalë e të bëhet e vërteta. Nuk është e lehtë sepse ata lëvizin vetëm me dëshirë, jo me ligjin dhe drejtësinë e masakruar sot e 30 vite nga më i pamëshirshmi që e njohim të gjithë.
Ornela e re arriti të zbulojë dhe të gjejë deri në Shtetet e Bashkuara Marjan Rrokun që fshihej me identitet të rremë. Autoritetet amerikane e arrestuan dhe e sollën në Shqipëri të vuante burgimin e përjetshëm. Por Rroku erdhi në duart e të korruptuarve që për pasuri e pushtet mund të shisnin jo një vrasës, por cilindo që ka bërë krime nga më të tmerrshmet në Shqipëri. Marjan Rroku po i shpëtonte dënimit duke qarë e duke u shtirur nëpër studio televizive. Përsëri del në skenë Ornela që me guxim rikujton të vërtetën duke shpresuar që vrasësi i motrës dhe nënës së saj të dergjet përherë në burg.
Ndërsa Shkëlzen Berisha është ende jashtë. Jo vetëm i qetë dhe i pandëshkuar për gjithë çfarë ka bërë, gjithë çfarë njihet dhe ende nuk njihet, por edhe kërcënues, përbaltës, ofendues, sfidues për cilindo që guxon t’ja kujtojë. Shkëlzen Berisha, babai i tij, militantë e njerëz që shpresojnë që padroni t’iu rikthehet padron, janë historia ende e pambyllur e drejtësisë te ne. Shtetet e Bashkuara arrestojnë e na tregojnë vrasësit, ne ndonjëherë tentojmë t’i lirojmë, e shpesh i nderojmë.