Serbia dhe Kosova janë duke biseduar për normalizimin e marrëdhënieve të tyre për afër një dekadë. Deri tani, është dialogu ai që u shndërrua në normalitet, në vend se të ndiqet synimi për marrëdhënie “normale”. Serbia mohon pavarësinë e Kosovës dhe shumë pyetje midis të dy vendeve mbeten të hapura. Këtu shfaqet rreziku që dialogu të bëhet kopje e bisedimeve pa mbarim për paqen në Qipro, me negociata pafund dhe fare pak rezultate konkrete. Për disa vite, dialogu kishte ngecur dhe në mënyrë të rrezikshme u flirtua me idenë e shkëmbimit territorial midis Serbisë dhe Kosovës. Këtë vit, doli një rrugë e pazakontë e dyfishtë me SHBA-në, udhëhequr nga Richard Grenell, negociatorin e emëruar nga Trump, dhe BE-në, udhëhequr nga Miroslav Lajčák. Niveli i koordinimit ndërmjet këtyre të dyve është minimal dhe synimet janë të ndryshme. Përkundër sigurimeve të formës rituale për vazhdimësinë e bashkëpunimit Euro-Atlantik, administrata e Trump-it është përpjekur t’ia marrë me zor një sukses BE-së, ndërsa BE-ja duket mosbesuese ndaj qëllimeve të SHBA-së.
Por, marrëdhëniet e vështira BE-SHBA nuk janë pengesa më e madhe për dialogun. As qeveria serbe, as qeveria e Kosovës nuk e kanë legjitimitetin për të lidhur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Në rastin e Kosovës, qeveria ka shumicën më të ngushtë dhe mbështetje të dobët. E shtytur nga administrata e Trump-it, ajo erdhi në pushtet gjatë pandemisë, më shumë si një përpjekje e politikanëve të brezit nga vjetër për të parandaluar koalicionin energjik të udhëhequr nga Vetëvendosje që të trajtojë korrupsionin dhe klientelizmin. Qeverisë i mungon mbështetja nga Vetëvendosje, fituesi kryesor i zgjedhjeve të vitit të kaluar, ndërsa kryekandidatja fituese e partisë kryesore qeverisëse, Vjosa Osmani, është lënë mënjanë në partinë e saj dhe është shkarkuar nga strukturat udhëheqëse të partisë. Keqmenaxhimi i pandemisë së COVID-19 minoi më tej legjitimitetin e qeverisë. Së këndejmi, qeverisë së Kosovës i mungon mbështetja dhe aftësia për t’i bindur qytetarët e vet për çfarëdo marrëveshjeje normalizimi me Serbinë ose për të siguruar mbështetje të gjerë institucionale. E ardhmja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi është e pasigurt, për shkak të aktakuzës së mundshme ndaj tij për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Me pak fjalë, as qeveria, as presidenti nuk janë në pozitë për të lidhur të marrëveshje të qëndrueshme.
Në Serbi, me sa duket situata është ndryshe. Presidenti Vučić fitoi me shumicë të madhe në vitin 2017 (mandati i tij zgjat deri më 2022) dhe Partia Progresive e tij që është në pushtet fitoi pak më shumë se 60 për qind të votave në qershor 2020, që u përkthyen në më shumë se tri të katërtat e deputetëve në parlament. Megjithatë, ekziston një ngatërresë. Edhe pse fitoi shumicën dërrmuese, partia në pushtet nuk u lodh të formojë qeverinë e re për më shumë se dy muaj, duke shquar kështu rëndësinë e vogël të institucioneve legjitime formale. Për më tepër, zgjedhjet u bojkotuan nga opozita dhe pas zgjedhjeve shpërthyen protestat rreth trajtimit të pandemisë. Në veçanti, qytetarët protestuan kthimin e masave kufizuese pasi shumica ishin hequr në periudhën parazgjedhore, ndërkohë që dolën prova të besueshme se partia në pushtet kishte fshehur numrat e vërtetë të vdekjeve dhe infeksioneve lidhur me COVID-19 për të lejuar zhvillimin e votimit. Sidoqoftë, as pjesëmarrja e madhe në zgjedhje, as pjesëmarrja e opozitës nuk do të kishte lëkundur dominimin e partisë në pushtet. Mungesa e legjitimitetit në Serbi nuk buron thjesht nga një parti në pushtet që nuk gëzon mbështetje popullore, por nga një regjim që është bërë gjithnjë e më autoritar, duke i lënë pak hapësirë kritikëve dhe opozitës. Kjo e ka bërë të vështirë konstatimin e popullaritetit në një mjedis demokratik dhe të lirë. Presidenti dhe partia në pushtet, si dhe mediat besnike ndaj regjimit, kanë sulmuar partitë opozitare dhe kritikët në mënyrë sistematike. Ndërsa regjimi bëri një dialog fiktiv me qytetarët mbi Kosovën disa vite më parë, në Serbi nuk ka mbetur hapësirë e mjaftueshme qytetare për bisedë gjithëpërfshirëse për çfarëdo çështjeje, e lëre më për Kosovën. Si rezultat, regjimit i mungon legjitimiteti demokratik dhe së këndejmi aftësia për të ndërtuar mbështetje të gjerë demokratike për një marrëveshje me Kosovën.
Kjo i lë ndërmjetësit ndërkombëtarë në një situatë të palakmueshme. Status quo-ja është shkatërrimtare, veçanërisht për Kosovën, meqë ajo ka ngecur pa njohje të plotë ndërkombëtare dhe pa perspektivë të qartë për aderim në BE. Përkundër plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave për BE, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që ende nuk mund të udhëtojnë lirshëm në pjesën tjetër të Evropës. Serbia gjithashtu ka ngecur falë marrëdhënieve të pazgjidhura me Kosovën dhe dhembjes fantazmë për Kosovën që e pengon anëtarësimin në BE dhe është burim i vazhdueshëm i paqëndrueshmërisë dhe tensioneve rajonale. Kjo gjithashtu bën që spektri politik të anojë nga e djathta nacionaliste. Në konfigurimin aktual, çfarëdo zgjidhjeje gjithëpërfshirëse nuk ka gjasa të fitojë mbështetjen e nevojshme në të dy vendet për t’u bërë realitet. Meqë një ujdi e dështuar do të ishte pengesë më e madhe sesa asnjë ujdi, do të ishte më zgjidhje më e mençur sikur ndërmjetësit nga BE-ja dhe SHBA-ja të mos përqendroheshin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse në këtë moment. Kjo nuk do të thotë që dialogu do të duhej ndalet ose të pezullohet. Në vend të kësaj, bërja e progresit në zbatimin e disa nga moria e marrëveshjeve të lidhura në dekadën që shkoi, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara. Kjo do të duhej të përqendrohet në mekanizmat e ndërsjellë të monitorimit që zbehin lojërat e fajësimit nga e kaluara për (keq)interpretimin e zbatimit të marrëveshjeve nga secila palë. Një tjetër shtyllë e rëndësishme që do të duhej të jetë në fokusin e ndërmjetësve të jashtëm është ndërtimi i besimit, duke pasur parasysh që marrëdhëniet karakterizohen me tensionime të mëdha dhe fushata e Serbisë për çnjohje ka qenë edhe një faktor polarizimi. Kjo do të mund të përfshinte formate të reja të dialogut dhe shkëmbimit institucional, që përfshijnë parlamentet dhe administratat publike dhe jo vetëm politikanët kryesorë. Për më tepër, ndërmjetësit ndërkombëtarë do të duhej të promovojnë një nivel më të lartë të njohurive rreth njëri-tjetrit në radhët e qytetarëve të të dyja vendeve, me anë të skemave të lëvizjes, shkëmbimeve ndërmjet mediave dhe me masa të tjera që mund të krijojnë bazën për rrënjosjen e një ujdie të ardhshme.
As Kosovës, as Serbisë nuk i nevojiten deklarime dhe pohime të tjera madhështore të qëllimeve që i shërbejnë vetëm qeverive për t’i hyrë në qejf ndërmjetësve perëndimorë, por që nuk rezultojnë me ndonjë përmirësim praktik për jetën e qytetarëve në të dyja vendet.