Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka theksuar se lufta kundër krimit të organizuar mbetet prioritet kryesor. Lleshaj paralajmëroi se në vjeshtën e këtij viti priten vendimet e para nga Gjykata, për konfiskimin e pasurive me burim kriminal, si pjesë e Operacionit Forca e Ligjit.
“Evidencat e deritanishme tregojnë se ecuria e punës është jashtëzakonisht inkurajuese. Operacioni Forca e Ligjit ka regjistruar sukses të konsiderueshëm, dhe presim që së shpejti të finalizohen dhe vendimet e para përfundimtare të drejtësisë për konfiskimet e para, për t’u pasuar në të ardhmen me vendime të tjera”, u shpreh ministri.
Ministri i Brendshëm zhvilloi një takim me me oficerët e Njësisë Kundër Krimit Ekonomik, e njohur si Njësia “E”, në Policinë e Shtetit, ndërsa theksoi se përveç Operacionit Forca e Ligjit (OFL), punë e madhe po bëhet edhe në drejtim të luftës për goditjen e grupeve të krimit të organizuar.
Ministri shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.
Prononcimi i ministrit Lleshaj
Krahas shumë angazhimeve dhe prioriteteve të Policisë së Shtetit, lufta kundër krimit të organizuar kryeson listën e të gjithë prioriteteve dhe angazhimeve. Kemi ardhur sot në mjediset e strukturës së posaçme që merret me luftën kundër krimit të organizuar për të parë ecurinë e punëve dhe konstatoj se angazhimi i të gjithë strukturave është në nivelin më të lartë të mundshëm.
Në këtë strukturë janë të integruara disa Njësi, si ajo që ka të bëjë me luftën kundër krimit ekonomik, ose Njësia “E”, Njësia “I” që është njësia e informacionit, Njësia “K” që merret me kapjen e personave në kërkim, Njësia “C” që merret me luftën kundër krimit kompjuterik dhe Operacioni Forca e Ligjit.
I gjithë ky ansambël i madh strukturash është i angazhuar në një përpjekje të madhe për të dhënë goditje të vazhdueshme kundër krimit në përgjithësi, por me theks të veçantë, krimit të organizuar.
Evidencat e deritanishme tregojnë se ecuria e punës është jashtëzakonisht inkurajuese. Operacioni Forca e Ligjit ka regjistruar sukses të konsiderueshëm, dhe presim që së shpejti të finalizohen dhe vendimet e para përfundimtare të drejtësisë për konfiskimet e para, për t’u pasuar në të ardhmen me vendime të tjera.
Po ashtu përveç Operacionit Forca e Ligjit (OFL), punë e madhe po bëhet edhe në drejtim të luftës për goditjen e grupeve të krimit të organizuar.
Megjithëse shumë prej tyre janë tashmë prapa hekurave dhe në duart e drejtësisë, por ky proces vazhdon me intensitet të lartë.
Masat e marra deri tani janë të plota dhe procesi po vazhdon me intensitet. Besojmë se puna dhe angazhimi do të japin rezultate të shpejta edhe më të thelluara në këtë drejtim të rëndësishëm.
g.kosovari