Edhe në shkolla situata nuk do të jete si më parë. Rreziku nga përhapja e virusit do të ndryshojë sjelljen dhe në ambiente më sociale, duke sjellë përpara sfida të mëdha për të gjithë.
Pak ditë nga fillimi i pjesshëm i mësimit, mjekët tregojnë si duhet të jetë normaliteti i ri për fëmijët dhe mësuesit, në kohë pandemie.
Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se shkollat nuk duhet të neglizhojnë udhëzimet e ekspertëve, ndërsa ai vetë nuk e mbështet vendosjen e maskës nga fëmijët e ciklit të ulët.
“Ky virus nuk përjashton asnjë. Të gjithë mund t’i infektojë. Fati i mirë është që moshat e reja nuk sëmurën, por ata e transmetojnë, por deri në moshën 12-13 vjeç është e dokumentuar që nuk e transmetojnë, ose e përhapin shumë pak”, – u shpreh Pipero.
“Mbështes opinion e specialistëve dhe kolegëve në botë që maska deri në moshën 12 vjeç nuk rekomandohet. Stafi dhe prindërit duhet doemos të respektojnë protokollet e komitetit të ekspertëve”, tha për A2 mjeku Pipero.
Ne fillimin e këtij viti shkollor, Covid-19 këtë vit ka shuar entuziazmin.
Të gjithë, prindër, nxënës dhe mësues, janë përqendruar te masat dhe dyshimet se a mund të zbatohen si duhet. Pëllumb Pipero tregon se si duhet ta përdorin fëmijët maskën në shkolla.
“Është shumë e rëndësishme që maska të mbulojë hundën, gojën dhe deri poshtë mjekrës. Do t’i këshilloja prindërit, mësuesit dhe nxënësit, të edukojnë njëri-tjetrin që mos e bëjnë zakon ta ulin maskën, se sa herë e ulin, aq herë bëhet e papërdorshme. Ta mbajnë deri sa të mbarojë mësimi”.
Fillimi i vjeshtës ka shënuar ulje të rasteve pozitive dhe rritje të të shëruarve, por mjekët i druhen fillimit të stinës së virozave.
/e.rr