Sezoni turistik është shoqëruar me incidente të shumta në vijën bregdetare të Shqipërisë, ku fatkeqësisht nuk kanë munguar as viktimat. Të ndodhur para frikës nga mjetet lundruese, një denoncim nga disa qytetarë ka mbërritur edhe në redaksinë e JavaNews.
Mësohet se gjatë ditës së sotme, një gomone e përmasave të konsiderueshme dhe e pajisur me motorë ka kërcënuar pushuesit në plazhin qendror të Sarandës.
Te terrorizuar nga lundrimi me shpejtësi e mjetit në fjalë, ata shprehen se pasi drejtuesi i tij ka refuzuar t’u japë fund manovrave pranë bregut, u janë drejtuar policisë. Por sipas tyre, kjo e fundit nuk i është përgjigjur shqetësimit të pushuesve në fjalë.
Ngjarja ka ndodhur këtë të premte pranë njërit prej hoteleve kryesorë të Sarandës. Redaksia përcjell më poshtë fotot e bëra nga denoncuesit.