Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Kremlini është i gatshëm t’i sigurojë ndihmë ushtarake presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko nëse atje situata përshkallëzohet. Putin ka theksuar se Rusia ka siguruar edhe një “forcë policore rezervë” për të mbështetur udhëheqësin bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
“Lukashenko më kërkoi të krijoja një rezervë të caktuar të punonjësve të zbatimit të ligjit, dhe unë e kam bërë këtë. Por ne gjithashtu u pajtuam që ato të mos përdoren nëse situata nuk del jashtë kontrollit”, tha Putin në një intervistë për televizionin shtetëror rus.
Presidenti rus nuk dha asnjë detaj në lidhje me numrin e njerëzve të përfshirë. Ndërkohë deri më tani në protesta, Lukashenko ka përdorur efektivët e policisë si dhe trupat e brendshme dhe disa njësi të forcave speciale.
Pak ditë më parë, Lukashenko pyeti publikisht Putin për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake ruse në vend, duke i cilësuar protestat e fundit kundër sundimit të tij, si pjesë e një komploti NATO-s kundër Bjellorusisë. Të enjten ai akuzoi vendet fqinje për fillimin e një “lufte hibride” kundër Bjellorusisë, duke pretenduar se Polonia kishte në plan të merrte një pjesë të territorit të saj. Po kështu, javën e kaluar Lukashenko e vuri ushtrinë në gatishmëri të plotë luftarake në kufijtë perëndimorë të Bjellorusisë.
Deri më tani duket se Kremlini nuk i ka besuar këto pretendime të, Lukashenkos, por Putini tha se Rusia “do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e saj” nëse situata ndryshon.
g.kosovari