Leonidha dhe djemtë e ekuipazhit të tij me anijen e tyre të peshkimit në Sarandë nisin lundrimin në orët e para të mëngjesit, duke siguruar prodhimin që e tregtojnë prej vitesh në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga puna e përditshme e Leonidhës dhe ekuipazhit të tij ndërsa thekson se “sot peshkimi është transformuar nga një sektor informal, në një industri që rritet çdo vit, por rritja e mëtejshme do të shoqërohet padiskutim nga një rritje e mbështetjes së komunitetit të mrekullueshëm të peshkatarëve”.
“Gjithë jetën e tij Leonidha ia ka dedikuar detit, ndërsa e gjithë familja e tij i është përkushtuar sipërmarrjes së tregtisë së peshkut. Por jeta dhe ekonomia e tyre ka ndryshuar shumë për mirë falë politikave të reja mbështetëse për peshkimin, si edhe financimeve direkte nga AZHBR”, – shtoi Rama.
Leonidha tregon se “i jam dedikuar peshkimit që në 1974, isha 16 vjeç dhe biznesin e jetën ia kam përkushtuar detit , gjithë familja ime merret me peshkun, por pjesë të familjes kam edhe djemtë që punojnë me mua, të cilët janë shumë të përkushtuar. Ata dalin në 3 pa çerek nga limani në zonën e gjuetisë dhe gjuajnë deri ne orën 18:00-19:00 pasdite”.
“Ne jemi të përkushtuar që këtë biznes ta shtojmë, xhiro ime vjetore është mbi 18 milionë lekë”, tregon Leonidha. “Preferohet karkaleci, merluci, barbuni, të cilësisë së parë, e shpërndaj në të gjithë restorantet që i kam klientë prej vitesh”, – tha Leonidha.
Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca tha se “ne mbështesim akuakulturën dhe investimet që kanë të bëjnë me akuakulturën dhe instrumentet që ju duhen për anijet e peshkimit nga programi IPARD”.