Pas disa lajmeve të përhapura në media se QSUT nuk ka ujë dhe nuk është furnizuar prej dy ditësh, ka reaguar dhe Ministria e Shëndetësisë. Përmes një deklarate sqaruese, Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se QSUT( Spitali Nënë Teereza) është furnizuar me ujë 21 herë brenda 24 orëve të fundit, Spitali Traumës 6 herë ndërsa spitali obsteriko- gjinekologjik Mbretëresha Geraldinë 4 herë. Ministria sqaron se ka patur probleme të furnizimit me ujë vetëm në 24 orët e fundit, pasi ujësjellësi i Bovillës ka pësuar probleme gjatë ditës së djeshme.
“Si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në 24 orët e fundit, ku pas një periudhe të gjatë thatësire patëm shira të dendur e të rrëmbyeshëm, uji i Liqenit të Bovillës është turbulluar si asnjëherë tjetër në vitet e fundit. Kjo e ka vështirësuar kalimin e këtij uji në impiantin e Bovillës, për t’u trajtuar e shpërndarë më pas në rrjetin e shpërndarjes. Për këtë arsye, gjatë gjithë ditës së sotme, specialistët e UKT-së kanë kryer analizat e ujit çdo 30 minuta, për të garantuar cilësinë e tij.
Ndërkaq, sot Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka vijuar furnizimin me ujë të spitaleve të kryeqytetit, për të mos pasur probleme me mungesën e ujit në këto institucione. Vetëm gjatë ditës së sotme, UKT-ja ka shpërndarë në terren 7 bote uji, të cilët kanë furnizuar 21 herë me ujë QSUT “Nënë Tereza”, 6 herë Spitalin Universitar të Traumës, 4 herë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, si dhe disa institucione të tjera.” – thuhet në deklaratë.
Në lidhje me situatën e krijuar, Ministria e Shëndetësisë informon si në vijim:
- SUOGJ “Koço Gliozheni” – Deri në mesditën e ditës nesërme nuk do të ketë probleme me mungesën e ujit, ndërkohë që aktiviteti i tij vazhdon normalisht;
- SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” – Pas furnizimit të depoziutave të ujit dhe furnizimit në vazhdimësi me anë të autoboteve, nevojat e institucionit janë plotësuar duke siguruar shërbimin normal;
- Shërbimi i Traumës – Vijon ofrimin normal të shërbimeve dhe garanton vijimësinë normale të punës;
- SU “Shefqet Ndroqi” – Nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë dhe puna vijon në funksionin e vet normal.
Aktualisht, aktiviteti spitalor dhe ai i ofrimit të shërbimeve spitalore në qytetin e Tiranës, vijon pa probleme.
Gjatë ditës janë marrë masat edhe për furnizimin e mjaftueshëm me ujë të Shërbimit të Dializës, duke siguruar dhënien e shërbimit në vijimësi për të sëmurët, të cilët kanë nevojë për dializë.
Nga ana tjetër, deri në zgjidhjen e këtij problemi me furnizimin e vijueshëm dhe pa probleme me ujë, për rastet e urgjencave kirurgjikale që mund të paraqiten pranë QSUT “Nënë Tereza”, sallat kirurgjikale të këtij spitali, do të suportohen nga ekipet dhe sallat e gatëshme të SU “Shefqet Ndroqi”. Drejtoria e QSUT “Nënë Tereza”, po monitoron përdorimin e ujit në mjediset spitalore, duke garantuar furnizimin e nevojshëm dhe pa probleme në vazhdimësi.