Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, në një bashkëbisedim me drejtorin e “National Press Club”, mes shumë çështjeve të diskutuara, i është përgjigjur edhe pyetjes së Gazetës Express rreth takimit të 2 shtatorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë
Gazeta Express është interesuar të dijë se cilat janë pritjet e Boltonit nga një takim i tillë dhe nëse ai pret që palët të arrijnë në Washington një marrëveshje finale, e cila do të ishte një kombinim i çështjeve ekonomike dhe atyre politike.
Boltoni ka thënë se takimi i 2 shtatorit do të jetë një mundësi shumë e mirë për Trumpin që të bëjë fushatë, derisa thotë se shpreson që një zhvillim i tillë në Shtëpinë e Bardhë të ndihmojë palët në procesin e bisedimeve.
“Mendoj se kjo do të ishte një fushatë e mrekullueshme për presidentin Trump. Shpresoj që kjo të ndihmojë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Bolton, teksa i është përgjigjur pyetjes së Gazetës Express.
“Unë mendoj se është shumë në interesin e Shteteve të Bashkuara që t’i zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet e mbetura në rajonin e Ballkanit, që janë ende në numër të konsiderueshëm. ”, ka shtuar Bolton.
Bolton tutje thekson se pamundësia për të normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë do t’i mundësojë Rusisë që edhe më tej të punojë për rritjen e jostabilitetit në rajonin e Ballkanit.
“Mendoj se jostabiliteti i shkaktuar nga pamundësia për t’i rregulluar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vetëm i jep Rusisë hapësirë që ta çajë rrugën dhe ta rrisë këtë jostabilitet ”, thekson Bolton.
Ish-këshilltari për Siguri Kombëtar i Donald Trumpit ,i cili gjatë korrikut kishte thënë se Kosova e Serbia kishin folur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, duke u përgjigjur në pyetjen e Gazetës Express thotë se është në interesin e Washingtonit që të punojë publikisht apo edhe prapa perdeve, për të parë nëse Kosova dhe Serbia mund të shkojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje.
Dhe thotë se nëse kjo është ajo se çfarë po bën administrata Trump atëherë do t’i duartrokas, thekson ai.
“Disa vjet më parë, ishte një kohë kur mendoj se njerëzit ishin optimistë se liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë zgjidhur diçka, të paktën në terma të përgjithshëm. Mendoj se ky optimizëm është zvogëluar paksa, por a është në interesin e Shteteve të Bashkuara, qoftë publikisht apo në prapaskenë, që të punojë për të parë nëse mundemi t’i bëjmë këto dy shtete të arrijnë marrëveshje, unë mendoj se është shumë (në interesin e ShBA-së) dhe nëse kjo është ajo çfarë po bën administrata (amerikane), atëherë unë e duartrokas”, ka përfunduar Bolton./GazetaExpress/