Neurokirurgu i Spitalit “Nënë Tereza”, Artur Xhumari, përmes një postimi në rrjetet sociale, kërkon nga njerëzit të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të respektojnë masat e vendosura, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm.
“Kam dëgjuar gjithëfarë çudish këto kohë, me konspiracione masonike, protesta publike kundër masave anti-COVID, që “shkelin liritë e njeriut” dhe jo pak herë kam qeshur me vete… por tani, jo më…
Nuk është as shaka dhe as “lojë luftash” si ato që bënim kur ishim fëmijë…”, shkruan mjeku.
Teksa flet se janë të shumtë ata që nuk besonin, por kur u prekën dhe vetë nga Covid-19, iu drejtuan mjekëve, të cilët janë në një betejë të vështirë prej poshtuaj 6 muajsh në spitale.
“Sa të shumtë kanë qenë ata, që ulur nga divani komod i shtepisë jepnin mend në rrjete sociale, që donin t’i mbushnin mendjen dynjasë se ky virus nuk ekziston; të tjerë që shanin sistemin, mënyrën e menaxhimit, baltosnin mjekët…
Por kur COVID u hyri në shtëpi, heshtën dhe iu drejtuan atyre bluzave të bardha që kishin ndyrë me fjalët e tyre të papeshuara”.
POSTIMI I PLOTE
“Mens sana in corpore sano”
Në këto ditë të tensionuara, kur asnjëherë më shumë nuk është folur për shëndetin dhe shëndetësinë, kur na duhet të luftojmë me një virus, që ka gjunjëzuar globin, kur COVID 19 është mes nesh dhe e shoh në pacientë, por edhe në familje, duket, se më të çoroditura janë pikërisht mendjet…
Kam dëgjuar gjithëfarë çudish këto kohë, me konspiracione masonike, protesta publike kundër masave anti-COVID, që “shkelin liritë e njeriut” dhe jo pak herë kam qeshur me vete… por tani, jo më…
Nuk është as shaka dhe as “lojë luftash” si ato që bënim kur ishim fëmijë…
Sa të shumtë kanë qenë ata, që ulur nga divani komod i shtepisë jepnin mend në rrjete sociale, që donin t’i mbushnin mendjen dynjasë se ky virus nuk ekziston; të tjerë që shanin sistemin, mënyrën e menaxhimit, baltosnin mjekët…
Por kur COVID u hyri në shtëpi, heshtën dhe iu drejtuan atyre bluzave të bardha që kishin ndyrë me fjalët e tyre të papeshuara.
Epo, mirë.. E dimë që sistemi ka jo pak të meta, por le të shohim përtej, le të shohim përreth… Çfarë po ndodh?!
Brukseli ka 50 të sëmurë të rinj për 100 mijë banorë në ditë (1500 nëse do ishte Shqiperia).
Po Belgjika ku ka gabuar?
Popuj qeflinj si italianet apo spanjollët pësuan katastrofë sanitare derisa mblodhën mendtë.
Po ne ç’popull jemi?
Nuk është çështje menaxhimi, as sistemi. As duam të edukohemi dhe as kemi besim.
Të mos jemi hipokritë, edukata jonë shëndetësore nuk është as bazike. Shkojmë tek mjeku vetëm kur sëmuremi e tek dentisti, kur na dhëmb dhembi.
Besojmë portalet e komshiun, por jo mjekun.
Rajone të Spanjës ndalojnë duhanpirjen në publik; Parisi e Brukseli vendos me detyrim maskën në hapësira publike.
Këto lajme duhet të shqetësojnë çdokënd, por dhe duhet të na bëjnë të reflektojmë…
Shqetësuese është se në vende me ekonomi shumë më të fuqishme se ne, me kujdes shëndetësor me arritjet më të fundit të shkencës, situata e përhapjes së infeksionit është përkeqësuar. Po në vendin tonë me fuqi të pakët ekonomike?
Reflektimi duhet bërë mbi masat e strategjisë së ndalimit të përhapjes, themeli i të cilave është ndryshimi i sjelljes sonë! Fati i epidemisë është në duart tona!
Çdokush le të ndryshojë sjelljen e zakonet. Kjo do e pengojë përhapjen e virusit; do t’ i japë kohë shkencës të gjejë “armën” kundër virusit.
Kjo do të minimizojë vdekjet.
Nuk kërkohet shumë prej nesh:
Mbaj distancë fizike,
Mbaj maskë,
Izolohu dhe telefono mjekun e familjes, nëse ke shenja të COVID 19
Nuk ka shkop magjik për këtë pandemi.
Lufta nuk fitohet me retorikë boshe, statuse facebooku dhe deklarata të pamenduara, por me përgjegjshmëri të lartë.
Trup i shëndoshë në një mendje të shëndoshë! Kjo është strategjija!