ISIS-i ka publikuar manifestin në të cilin detajohet roli i grave në gjirin e grupit xhihadist. Ata e konsiderojnë “të ligjshme” që vajzat nga mosha nëntë vjeçe të martohen me luftëtarët dhe të kryejnë detyrat si bashkëshorte, nëna dhe amvisa.
Manifesti me 10 mijë fjalë, i publikuar në forumet xhihadiste, ekzistonte vetëm në arabisht, por ai është përkthyer nga Charlie Winter, një studiues i xhihadizmit të Sirisë dhe Irakut, në “Quillam Foundation”.
Manifesti thekson rolin e gruas brenda mureve të shtëpisë, ndërsa kritikon gratë perëndimore për kërkesat e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.
Megjithatë në gjirin e ISIS-it nuk mungojë femrat luftëtare, madje edhe nga Perëndimi. Në rrjetet sociale të xhihadistëve qarkullonte pak kohë më parë fotoja e një gruaje nga jugu i Londrës, e cila thoshte se donte të bëhej e para grua perëndimore që i pret kokën një pengu po perëndimor.
Winter thotë se raste të tilla nuk pasqyrojnë plotësisht qëndrimin që ISIS-i ka ndaj grave, por janë më shumë një formë propagande për të inkurajuar njerëzit t’u bashkohen radhëve të tyre.