Një ngjarje e rëndë tronditi pasditen e së mërkurës Gjirokastrën, pasi u gjet i pajetë një 57-vjeçar brenda mjetit të tij në aksin rrugor rural Polican-Suhë.
Mihal Thimjo dyshohet se është autori i ngjarjes, të cilin Policia e ka arrestuar në automjetin e tij në rrugën nacionale pranë lagjes së njohur si “Blloku i furrave”.
Mësohet se viktima, Gëzim Saraçi dhe autori i dyshuar, Mihal Thimjo kishin njohje të vjetër familjare me njëri – tjetrin. Madje ditën e ngjarjes, ata kishin drekuar bashkë në Poliçan të Zagorisë.
Mësohet se nga ngjarja edhe autori 33-vjeçar është plagosur në shpatull dhe në këmbë.
NGJARJA
Viktima e ngjarjes, që ka lënë të habitur banorët e zonës malore, është Gëzim Saraçi, banues në fshatin Humelicë të Gjirokastrës.
Babai i tre fëmijëve në moshë madhore, dy vajza e një djalë, ishte një emër i njohur për zonën.
Ai punonte rregullisht në këtë segment rrugor për transport mallrash, drurësh apo inertesh dhe njihej si një person i qetë në zonë.
Autori i dyshuar i krimit po udhëtonte në të njëjtin mjet me viktimën Saraçi, në kamionçinën ku dhe u gjet i pajetë 57- vjeçari. Gjatë rrugës, Saraçi dhe autori dyshohet se kanë pasur një konflikt për motive të dobëta.
Autori i vrasjes e ka goditur me sende të forta në kokë Saraçin, duke bërë që ky i fundit të humbë jetën.
Menjëherë pas ngjarjes autori ka telefonuar familjarët e tij, duke u pohuar se “e kishin vrarë”.
Kanë qenë pikërisht familjarët e autorit, të cilët kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë gjetur viktimën.
Ndërsa nuk ka pasur asnjë gjurmë nga autori që gjithashtu është plagosur.
NJOFTIMI I PLOTE
Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në datën 05.08.2020, në aksin rrugor Poliçan-Suhë, ku u gjet i pajetë 57-vjeçari G. S.
Pas 6 orë kërkimesh dhe kontrollesh në të gjithë zonën u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar të vrasjes.
Policia gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S., strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit.
Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
g.kosovari