Heqja e koalicioneve sipas ish-anëtarit të kryesisë së PD-së, Edvin Kulluri duhet të shikohet nga Partia Demokratike si një rrugë ku mund të ndiqen dy mënyra, njëra prej të cilave është futja e aleatëve në lista dhe tjetra, krijimi njëkohësisht i një grupi tjetër alternativ që futen në garë dhe përfaqësues të saj të jenë të pakënaqurit e Bashës por që pas zgjedhjeve krijojnë një koalicion të madh.
“PD dhe e djathta kanë fituar në 2005 me sistemin mazhoritar miks sikurse ka humbur me të njëjtin sistem në 2001. Një gjë është e vërtetë, elektorati i djathtë është më i fragmentarizuar se ai i majtë, ne nga e majta kemi sot gjithë partitë e majta të integruara në PS ndërsa nga e djathta jo.
Ka dy opsione e djathta, nëse shkohet tek heqja e koalicioneve. Njëra rrugë është futja e aleatëve në lista, ç’ka nuk e bëri në 2017 duke bërë një gabim. Tjetra është një tjetër koalicion ku përfshihen aleatët dhe kritikët e PD-së që nuk janë të pakët.
Në parlament të bashkohen votat e dy palëve për të formuar një mazhorancë, që të kemi një koalicion të djathtë të PD dhe një koalicion tjetër të djathtë rezervë”, tha Kulluri.
Kulluri, teksa komenton votat e 30 korrikut për ndryshime kushtetutese në FaxNews, thotë se nuk duheshin bërë pa dakordësinë e opozitës, ndërsa ideja që listat të hapen pjesërisht është absurde, sipas tij.
“Jam i bindur se opozita parlamentare që është aty prej opozitës zyrtare nuk legjitimohet për të dhënë votën e tyre për ndryshimet kushtetuese.
Nëse do të kemi një sistem me lista të hapura me një përqindje të caktuar, është një gabim më i madh akoma, sepse listat ose duhet të hapen ose jo.
Justifikimi për kuotat gjinore nuk ndikon së pari sepse është diskriminuese ndaj grave. Nuk e kam parë problematike situatën e përfaqësimit gjinor, normalisht mund të propozohen dhe votohen edhe gratë kandidate për deputete dhe jo domosdoshmërisht duhen nxjerrë në këtë formë që po tentohet të bëhet”, tha Kulluri.
g.kosovari