Kuvendi i Shqipërisë miratoi Aktin Normativ për rishikimin për herë të tretë të buxhetit të shtetit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-it, ku u ulën në mënyrë drastike prishmëritë për të ardhurat dhe u dyfishua deficiti buxhetor.
Nga muaji mars pritshmëritë për të ardhurat janë ulur me mbi 43 miliardë lekë. Kjo ulje e të ardhurave në mënyrë drastike, rritja e deficitit, e borxhit dhe më pak pritshmëri për zërat buxhetorë bënë që të rishikohet buxheti.
Ministrja e Financave Anila Denaj tha se mungesa e investimeve nga sektori privat do të kompensohet nga investimet publike. Në seancën e sotme u miratuan edhe disa projektligje dhe akte të tjera me rëndësi.
Kuvendi miratoi projektligjin që i hap rrugën heqjes së tatimit mbi fitimin të bizneseve me xhiro deri në 14 milionë lekë. Ndërkohë që është vendosur që pragu i ri i TVSH-së të jetë 8 milionë lekë nga 2 që është aktualisht.
Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 janar 2021. Fiskalizimi u shty sërish për në shtator 2021. Gjithashtu u miratua kthimi në ligj i Aktit Normativ për mbylljen lokaleve të natës, ndalimin e muzikës pas orës 20:00 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
g.kosovari